Fidan: Türkiye po bën presion për fazën e dytë të marrëveshjes për Gazën
Ministri i Jashtëm tırk tha se shkeljet e përsëritura kërcënojnë armëpushimin në Gaza, por Ankaraja është e përgatitur të mbështesë fazën e dytë që përfshin mekanizmin ndërkombëtar të sigurisë dhe qeverisjes
Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se vendi i tij po ushtron presion për nisjen e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, ndërsa shkeljet vazhdojnë të shtohen, duke paralajmëruar se dhuna e ripërtërirë mund të përhapet përtej enklavës dhe duke theksuar gatishmërinë e Türkiyes për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim.
Duke folur për "TRT World" në një intervistë të transmetuar sot, Fidan tha se armëpushimi është "jashtëzakonisht i çmuar për ne, sepse kemi parë tmerrin, tragjedinë njerëzore, gjenocidin që ka ndodhur në Gaza gjatë dy viteve të fundit", që nga vjeshta e vitit 2023.
Megjithatë, ai shtoi se "ka shkelje të vazhdueshme të armëpushimit", duke vënë në dukje se "që nga shpallja e armëpushimit (më 10 tetor), janë vrarë pothuajse 400 palestinezë".
Fidan tha se Türkiye mbështet kalimin e marrëveshjes në fazën e dytë, e cila përfshin një forcë ndërkombëtare stabilizimi dhe një mekanizëm qeverisës për Gazën. "Gjatë javëve të ardhshme do të shohim disa rezultate paraprake të qarta nga këto diskutime", tha ai.
Ai theksoi se Türkiye është e gatshme të marrë pjesë në një forcë të tillë, pavarësisht kundërshtimeve izraelite, duke thënë se Ankaraja ka vepruar si "zëri i ndërgjegjes njerëzore, i ndërgjegjes ndërkombëtare përballë mizorive izraelite në Palestinë".
Sa i përket Sirisë, Fidan tha se DEASh-i mbetet një kërcënim serioz, por mund të frenohet përmes bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se Türkiye dhe Siria kanë aktualisht "bashkëpunim të shëndetshëm".
Ai paralajmëroi se vonesat në integrimin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) në strukturën e re të sigurisë siriane kërcënojnë unitetin kombëtar, duke shtuar se durimi i aktorëve përkatës "po shteron".
Duke u ndalur te lufta Rusi-Ukrainë, Fidan tha se Türkiye mbështet përpjekjet e vazhdueshme ndërmjetësuese të udhëhequra nga ShBA-ja dhe beson se palët janë "shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje", duke shtuar se çdo marrëveshje do të duhet përfundimisht të ketë legjitimitet publik në Ukrainë.
Ai gjithashtu ritheksoi se siguria detare në Detin e Zi mbetet kritike, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i sulmeve rrezikon destabilitet më të gjerë rajonal.