Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë vizitës së saj të punës në Bruksel, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin ka diskutuar për angazhimin e vendit në Aleancë, mbrojtjen kolektive dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare.
Sipas një njoftimi nga kabineti i presidentes, Siljanovska-Davkova e riafirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj NATO-s dhe mbrojtjes kolektive, duke theksuar se uniteti i aleatëve dhe lidhja e fortë transatlantike janë parakushte themelore për sigurinë e vendeve anëtare.
Ajo konfirmoi përkushtimin për arritjen e objektivit të shpenzimeve të mbrojtjes, në përputhje me Planin e Hagës, duke theksuar se vendi po investon vazhdimisht në modernizimin e ushtrisë, qëndrueshmërinë kibernetike, teknologjitë e reja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Sipas saj, Korridoret 8 dhe 10 nuk janë vetëm projekte infrastrukturore, por edhe korridore strategjike që lidhin bashkëpunimin rajonal me interesat e sigurisë së NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE), veçanërisht në kontekstin e mobilitetit ushtarak.
Presidentja shprehu kënaqësinë për certifikimin e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë si të gatshëm për luftim, duke e vlerësuar këtë si dëshmi të profesionalizmit dhe kapaciteteve të ushtrisë për të kontribuar në operacionet e udhëhequra nga NATO-ja, BE-ja dhe OKB-ja.
Duke iu referuar përvojës së anëtarësimit në NATO, ajo theksoi se përmbushja e standardeve të larta të Aleancës duhet të shërbejë si shembull për zbatimin e qëndrueshëm të kritereve të Kopenhagës në procesin e integrimit evropian.
Në takim, Siljanovska-Davkova riafirmoi edhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, duke theksuar nevojën për vazhdimin e ndihmës politike, ushtarake, financiare dhe humanitare, në frymën e solidaritetit aleat.
Ajo theksoi se paqja gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të mbështetet në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, ndërsa respektimi i vazhdueshëm i këtyre parimeve është i pandashëm nga respektimi i rendit ndërkombëtar.






















