Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës me Iranin pritet të nënshkruhet të dielën dhe se Ngushtica e Hormuzit do të hapet menjëherë pas kësaj, ndërsa Teherani tha se nuk pret që nënshkrimi të ndodhë atë ditë.
Në një postim në platformën Truth Social, Trumpi tha se ShBA-ja do ta gjejë dhe do ta shkatërrojë uraniumin e pasuruar të Iranit sapo situata në rajon të qetësohet.
“Në momentin e duhur, kur gjithçka të jetë e qetë, ne do të shkojmë dhe do ta marrim materialin bërthamor të varrosur thellë nën malet granitike, falë bombarduesve tanë B-2 dhe pilotëve të tyre të shkëlqyer, dhe do ta neutralizojmë e shkatërrojmë, qoftë në Iran apo në Shtetet e Bashkuara”, shkroi Trumpi.
Ai shtoi se marrëveshja me Iranin është planifikuar të nënshkruhet të dielën dhe se Ngushtica e Hormuzit do të jetë “e hapur për të gjithë” menjëherë pas nënshkrimit.
Megjithatë, Irani deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit me ShBA-në nuk do të nënshkruhet të dielën, ndonëse mund të finalizohet në ditët në vijim.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se Memorandumi i Islamabadit fokusohet në përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, ndërsa çështja bërthamore nuk do të trajtohet në këtë fazë.
“Duhet të presim për datën e saktë të nënshkrimit. Edhe pse nuk do të ndodhë nesër, nuk mund të përjashtohet mundësia që kjo të ndodhë në ditët e ardhshme”, tha Baghaei, sipas agjencisë Tasnim.
Ai shtoi se Teherani duhet të tregojë kujdes në deklaratat e tij, duke përmendur atë që e cilësoi si “hezitim” nga Uashingtoni lidhur me procesin.
Baghaei tha gjithashtu se delegacioni negociator iranian nuk ka plane të udhëtojë drejt Gjenevës apo ndonjë destinacioni tjetër gjatë dy ditëve të ardhshme dhe se data e saktë e nënshkrimit mbetet ende e paqartë.
Mur kundër armëve bërthamore
Më herët, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ndihmoi në ndërmjetësimin e armëpushimit në luftën ShBA-Izrael kundër Iranit në prill dhe që prej asaj kohe është përfshirë në negociata, tha se një marrëveshje mund të finalizohet brenda 24 orëve të ardhshme.
Trumpi tha gjithashtu se marrëveshja e tij me Iranin është një “mur kundër armëve bërthamore”, duke pretenduar se Teherani nuk dëshiron më armë bërthamore dhe “as nuk do të ketë një të tillë, qoftë përmes blerjes, zhvillimit apo çdo forme tjetër sigurimi”.
“Marrëdhënia jonë me Iranin është shumë ndryshe dhe shumë më e mirë se ajo që kanë pasur administratat e mëparshme”, tha ai, duke kritikuar politikën e administratave të mëparshme ndaj Iranit dhe duke shtuar se “asnjë para nuk do të kalojë në duart e Teheranit”.
Ai shprehu gjithashtu optimizëm për marrëdhëniet e ardhshme me Teheranin dhe rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.
“Ne presim me padurim të punojmë me Iranin dhe të gjithë Lindjen e Mesme për një kohë të gjatë në të ardhmen. Shpresojmë që ky proces të përfundojë shpejt, lehtë dhe pa probleme. Nëse jo, ne kemi alternativën përfundimtare, e cila shpresojmë të mos përdoret më kurrë”, tha Trumpi.
















