Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, kritikoi të martën Rusinë se kërkon të ruajë ndikimin e saj në Kaukazin Jugor përmes kërcënimeve, në dëm të njerëzve në rajon.
"Ne shohim Rusinë duke u përpjekur të ruajë ndikimin e saj - në kurriz të njerëzve dhe të ardhmes së tyre", tha ai në një deklaratë përpara vizitës së tij në Baku dhe Jerevan. “Megjithatë çështja e afrimit të fqinjëve me Evropën nuk mund të zgjidhet në Moskë”, deklaroi Wadephul.
Wadephul e lidhi kritikën me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe "kërcënimet gjithnjë e më të hapura" nga Moska. Veprimet, tha ai, e bëjnë të qartë një gjë: Presidenti Vladimir Putin nuk dëshiron një rend evropian të shteteve sovrane në të cilin secili vend vendos për fatin e tij.
“Kjo është pikërisht arsyeja pse është e rëndësishme që Armenia dhe Azerbajxhani të formësojnë të ardhmen e tyre përmes vetëvendosjes”, deklaroi ai duke theksuar se: "Është koha për të dëgjuar zërat e tyre dhe për të adresuar interesat e tyre".
Duke bërë udhëtimin e tij të parë në rajon si ministër i Jashtëm, Wadephul nënvizoi se Berlini mbështet fuqishëm procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe interesin e tyre për lidhje më të ngushta me Evropën. Ai e përshkroi fillimin e një marrëveshjeje paqeje midis Bakusë dhe Jerevanit vitin e kaluar si një mundësi historike.
“Gjermania qëndron pranë Armenisë dhe Azerbajxhanit si një partner dhe mik i besueshëm. Për ata që jetojnë në të dy anët e kufirit, duhet të bëhet e qartë se guximi dhe besimi shpërblehen - përmes sigurisë më të madhe, rrugëve të hapura të transportit dhe një të ardhmeje që ofron shpresë ekonomike dhe promovon pajtimin", tha kryediplomati gjerman.
Kaukazi i Jugut ka shërbyer prej kohësh si një qendër strategjike midis Evropës dhe Azisë, vuri në dukje Wadephul, duke shtuar se rajoni ofron përsëri potencial të madh për tregtinë, partneritetet energjetike dhe lidhje të reja transporti.
“Paqja e qëndrueshme dhe kufijtë e hapur jo vetëm që do të përfitojnë njerëzit e rajonit, por gjithashtu do të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë fqinjësisë sonë evropiane”, theksoi ai.
Wadephul do të zhvillojë bisedime të martën në Baku me Presidentin Ilham Aliyev dhe ministrin e Jashtëm, Jeyhun Bayramov. Ai do të vazhdojë të mërkurën në Armeni për takime me kryeministrin Nikol Pashinyan dhe ministrin e Jashtëm, Ararat Mirzoyan.























