| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
ShBA-ja do të tërheqë rreth 5.000 trupa nga Gjermania, NATO-ja kërkon sqarime për vendimin
Lëvizja e Shteteve të Bashkuara erdhi pasi Trumpi ripërsëriti kritikat ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili tha të hënën se Irani po e “poshtëronte” Uashingtonin në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
ShBA-ja do të tërheqë rreth 5.000 trupa nga Gjermania, NATO-ja kërkon sqarime për vendimin
ShBA-ja do të tërheqë rreth 5.000 trupa nga Gjermania, NATO-ja kërkon sqarime për vendimin / Reuters

Pentagoni njoftoi se do të tërheqë rreth 5.000 trupa nga Gjermania gjatë vitit të ardhshëm.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi tërheqjen, ndërsa njoftimi vjen pasi presidenti Donald Trump deklaroi më herët këtë javë se do t'i largojë trupat nga aleati i NATO-s, Gjermania, në mes të një mosmarrëveshjeje me kancelarin Friedrich Merz për luftën ShBA–Izrael kundër Iranit.

“Presim që tërheqja të përfundojë brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muajve”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, në një deklaratë.

NATO-ja reagoi ndaj vendimit dhe bëri të ditur se është “duke punuar” me Shtetet e Bashkuara për ta kuptuar vendimin e Uashingtonit për të ulur me 5.000 numrin e trupave në Gjermani, pas një përplasjeje mes udhëheqësve të dy vendeve.

“Po punojmë me Shtetet e Bashkuara për të kuptuar detajet e vendimit të tyre për vendosjen e forcave në Gjermani”, tha zëdhënësja e aleancës, Allison Hart, në një postim në X.

“Ky rregullim thekson nevojën që Evropa të vazhdojë të investojë më shumë në mbrojtje dhe të marrë një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë tonë të përbashkët, ku tashmë po shohim përparim pasi aleatët ranë dakord të investojnë 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto”, thuhej në postim.

“Ne mbetemi të bindur në aftësinë tonë për ta siguruar parandalimin dhe mbrojtjen, ndërsa ky drejtim drejt një Evrope më të fortë brenda një aleance më të fortë vazhdon”.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë