| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Opozita në Kosovë e kritikon Qeverinë për ngecjet e evidentuara nga Raporti i Progresit i KE-së
Lushaku-Sadriu ka kritikuar Qeverinë për mungesë të progresit në reformat evropiane, duke thënë se integrimi evropian ka mbetur vetëm në deklarata dhe është zbehur në vendimmarrje, bashkëpunim institucional dhe zbatim të reformave.
Opozita në Kosovë e kritikon Qeverinë për ngecjet e evidentuara nga Raporti i Progresit i KE-së
Opozita në Kosovë e kritikon Qeverinë për ngecjet e evidentuara nga Raporti i Progresit i KE-së / TRT Balkan AL

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kritikuar Qeverinë për ngecjet që janë evidentuar nga Raporti vjetor i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën, nga e cila kanë kërkuar përgjegjësi. 

Në seancën e së mërkurës, të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për të diskutuar për raportin e KE-së, shefja e Grupit Parlamentar e kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën e dëshmon dështimin e Qeverisë në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me integrimin evropian.

Lushaku-Sadriu e ka kritikuar Qeverinë për mungesë të progresit në reformat evropiane, duke thënë se integrimi evropian ka mbetur vetëm në deklarata dhe është zbehur në vendimmarrje, bashkëpunim institucional dhe zbatim të reformave.

Ajo ka deklaruar se mangësitë e evidentuara kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe përgjigje nga ekzekutivi.

“Prej vitesh, integrimi evropian ka pushuar së qeni prioritet i kësaj qeverisjeje. Ka mbetur në deklarata, ndërsa është zbehur në vendimmarrje, bashkëpunim institucional dhe zbatimin e reformave. Integrimi evropian i vendit tonë kërkon punë të përditshme shtetërore, dhe pikërisht kjo punë ka dështuar. Prandaj, ky është thelbi i debatit të sotëm. Të nderuar kolegë, në dhjetë kapituj vlerësimi i këtij raporti është pa progres”, ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se edhe në fushën e drejtësisë, për herë të parë është evidentuar mungesë e progresit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, në fjalën e tij para deputetëve, tha se Raporti i Komisionit Evropian ka vënë në pah mangësitë në demokracinë e vendit, në drejtësi, ekonomi dhe funksionim të institucioneve.

Tahiri tha se përgjigjja serioze nuk duhet të jetë arsyetimi, por reflektimi.

“Komisioni Evropian evidenton paralizën e zgjatur institucionale, dobësimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjen shumë të kufizuar të ekzekutivit. Këto nuk janë vetëm vërejtje teknike, janë paralajmërime për cilësinë e demokracisë tonë”, theksoi Tahiri.

Konjufca zotohet për adresimin e rekomandimeve të opozitës për Raportin e KE-së

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, është zotuar se Qeveria e Kosovës do t'i adresojë të gjitha rekomandimet që i dhanë deputetët e opozitës në Kuvend në lidhje me gjetjet e Raportit të KE-së, por, tha se shumica e rekomandimeve kërkojnë punë të përbashkët midis pushtetit dhe opozitës.

“Zotohemi që do të adresojmë të gjitha rekomandimet që u thanë në Kuvend. Ne i kemi ekipet që regjistrojnë gjithçka që thatë. Shumica e rekomandimeve nuk kërkojnë vetëm masa të qeverisë, por po shoh që këto kërkojnë veprime edhe në Kuvend. Sepse vetëm kur punojnë bashkë mazhoranca dhe opozita me grupet parlamentare dhe vetëm kur partitë bëhen bashkë mund të krijojmë një Raport të Progresit edhe më të mirë në vitin 2027”, ka thënë Konjufca.

Konjufca tha se raporti mbulon periudhën shtator 2025 deri shtator 2026 duke theksuar se gjatë kësaj periudhe Kosova ka pasur dy palë zgjedhje parlamentare dhe një palë zgjedhje komunale, ndërsa presidenti nuk ishte zgjedhur deri në tetor dhe Kuvendi kishte funksionuar për një pjesë të kufizuar të periudhës.

Duke cituar raportin, Konjufca u shpreh se Komisioni Evropian konstaton se Kuvendi ka punuar vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ka qenë në detyrë për pjesën më të madhe të kohës. Konjufca e ka cituar raportin, sipas të cilit kjo situatë “kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe vonoi reformat strukturore”.

Kryediplomati kosovar shtoi se raporti e lidh ngadalësimin e reformave me bllokadën politike, duke përmendur se puna për strategjinë dhe ligjin për financat publike ka ngecur për shkak të kontestit politik.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë