| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Mikrokirurgjia në Türkiye shpëton 18-vjeçaren pas aksidentit
Ndërhyrja mikrokirurgjikale shtatorëshe ndihmoi një 18-vjeçare të rikuperohet, pasi flokët i kishin ngecur në motorin e automjetit.
Mikrokirurgjia në Türkiye shpëton 18-vjeçaren pas aksidentit
Mikrokirurgjia në Türkiye shpëton 18-vjeçaren pas aksidentit / TRT Balkan AL

Kirurgët në juglindje të Türkiyes arritën të rivendosin me sukses rreth 90 për qind të skalpit të një 18-vjeçareje, përmes një ndërhyrjeje mikrokirurgjikale shtatorëshe, pasi, flokët e saj u kapën në motorin e një automjeti go-kart.

Busra Bayir ishte duke vozitur në një qendër argëtimi në provincën Mardin, në juglindje të Türkiyes, rreth katër muaj më parë, kur lidhësja e flokëve iu lirua dhe flokët iu kapën në motorin e automjetit. Brenda pak sekondash, asaj iu shkëput rreth një e treta e skalpit.

Pas trajtimit urgjent në Mardin, ajo u transferua në Spitalin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Dicle në Diyarbakir, ku kirurgët kaluan rreth shtatë orë duke rivendosur indin përmes mikrokirurgjisë.

“Ishte një rast i rrallë”, tha për Anadolu kirurgu Serkan Erbatur. “Këto janë ndërhyrje të vështira, me rrezik për jetën”, shtoi ai. Bayir qëndroi 12 ditë në kujdes intensiv dhe 11 ditë të tjera në spital, para se të lëshohej për në shtëpi.

Mjekët thonë se rreth 90 për qind e indit të rivendosur, që përmban rrënjët e flokëve, mbijetoi dhe se aktualisht ajo nuk ka nevojë për ndërhyrje të tjera kirurgjikale.

Rasti nuk është i veçantë vetëm për Türkiyen

Mekanizmi që shkaktoi lëndimin e saj është i pazakontë, por nuk është i veçantë vetëm për Türkiyen. Literatura mjekësore ka dokumentuar raste të ngjashme prej dekadash, përfshirë pacientë, flokët e gjatë të të cilëve janë kapur në motorët e pambrojtur të automjeteve go-kart.

Edhe standardet e sigurisë për këto automjete trajtojnë në mënyrë specifike këtë rrezik.

Kërkesat evropiane për automjetet rekreative go-kart parashikojnë mbrojtjen e pjesëve rrotulluese për të parandaluar kapjen e flokëve, shallëve dhe veshjeve të gjera, ndërsa operatorët pritet t’i paralajmërojnë drejtuesit për këto rreziqe.

Ndërkaq, organizata "Karting Australia" kërkon që drejtuesit me flokë më të gjatë se shpatullat të përdorin masa mbrojtëse për të parandaluar kapjen e tyre. Erbatur tha se helmetat, flokët e lidhur mirë dhe veshjet e përshtatshme mund ta zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun.

“Fatkeqësisht, ndodh që flokët ose shallet të kapen në automjetet go-kart dhe këto aksidente ndonjëherë mund të jenë fatale”, tha ai. Për Bayir, rikuperimi fizik është shoqëruar edhe me një proces shumë më të gjatë psikologjik.

“Aksidenti ma ndryshoi jetën brenda një çasti. Ka qenë një proces shumë i vështirë, jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht dhe shoqërisht”, tha ajo. Tani ajo shpreson që përvoja e saj të shërbejë si paralajmërim për operatorët dhe drejtuesit e këtyre automjeteve.

“Dua që njerëzit ta dinë se çfarë kam kaluar, në mënyrë që të merren masa paraprake dhe të mos ndodhin më aksidente të ngjashme”, tha ajo.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë