Kryeministri serb Gjuro Macut tha se marrëdhëniet Türkiye-Serbi po përjetojnë "epokën e tyre të artë".
Kryeministri Macut i cili erdhi në Antalya për të marrë pjesë në Forumin e 5-të të Diplomacisë në Antalya (ADF), iu përgjigj pyetjeve të Anadolu-s. Duke vlerësuar marrëdhëniet Türkiye-Serbi, Macut deklaroi se themeli i këtyre marrëdhënieve mbështetet në marrëdhëniet e mira midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Ai vuri në dukje se kjo është periudha më e mirë për marrëdhëniet ekonomike që nga Lufta e Parë Botërore. "Mendoj se kjo periudhë është epoka e artë e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Türkiyes në historinë e kohëve të fundit", tha Macut.
Duke deklaruar se ka marrëdhënie "të shkëlqyera" në nivelin politik si dhe në nivelin ekonomik, Macut tha: "Në të njëjtën kohë, lidhjet midis dy vendeve në aspektin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhëniet e vendosura me popullsinë me origjinë muslimane në Serbi janë gjithashtu me rëndësi të madhe".
Macut shtoi se presin që presidenti Recep Tayyip Erdoğan të vizitojë përsëri Serbinë, duke thënë: "Ne besojmë se mund ta forcojmë bashkëpunimin tonë në fusha të tilla si projektet e infrastrukturës, ekonomia, marrëdhëniet kulturore dhe arsimi. Prandaj, po kalojmë një periudhë shumë të mirë në aspektin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis vendeve tona".
"Mund të presim që Türkiye të marrë rol stabilizues"
Lidhur me pyetjen në lidhje me rolin e Türkiyes në ruajtjen e paqes në Ballkan, Macut theksoi rolin që Türkiye luajti në tensionin Rusi-Ukrainë.
"Duke marrë parasysh këtë situatë dhe perspektivën historike të Türkiyes si një fuqi e madhe në rajon, mund të presim që Türkiye të marrë rol stabilizues jo vetëm në Evropë, por veçanërisht në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme", tha Macut.
Në këtë kontekst, Macut theksoi se prania e Türkiyes në Ballkanin Perëndimor është një "avantazh i madh". "Mençuria e turqve dhe Türkiyes do të ofrojë mbështetje të madhe në zgjidhjen e problemeve kritike", tha kryeministri serb.




























