| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Kryeparlamentari turk bën thirrje për pezullimin e Izraelit nga Kombet e Bashkuara
Numan Kurtulmuşi kërkon pezullimin e Izraelit për shkak të projektligjit për dënimin me vdekje ndaj të burgosurve palestinezë, duke iu referuar Afrikës së Jugut gjatë epokës së aparteidit.
Kryeparlamentari turk bën thirrje për pezullimin e Izraelit nga Kombet e Bashkuara
Kryeparlamentari turk bën thirrje për pezullimin e Izraelit nga Kombet e Bashkuara / AA
10 orë më parë

Kryetari i Parlamentit të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, ka bërë thirrje për pezullimin e Izraelit nga Kombet e Bashkuara, duke kritikuar projektligjin për dënimin me vdekje ndaj të burgosurve palestinezë dhe duke iu referuar veprimeve ndërkombëtare kundër Afrikës së Jugut gjatë aparteidit si precedent.

Gjatë fjalës së rastit në Asamblenë 152. të Unionit Ndërparlamentar (IPU) në Stamboll, Kurtulmuşi tha se sistemi ndërkombëtar ka vepruar më parë kundër aparteidit, duke risjellë në kujtesë pezullimin e anëtarësimit të Afrikës së Jugut në OKB, në vitin 1974.

Ai argumentoi se Izraeli po zbaton praktika të ngjashme, duke pyetur: “A nuk është aparteid të zbatosh një ligj për palestinezët dhe një tjetër për izraelitët në një vend të vetëm?”

Kurtulmuşi gjithashtu kritikoi OKB-në, duke thënë se ajo ka dështuar të ndalë konfliktet e fundit dhe është bërë joefektive në parandalimin e dhunës, veçanërisht në Gazë.

“Fatkeqësisht, Kombet e Bashkuara janë bërë një institucion ndërkombëtar i drejtuar në përputhje me dëshirat e atyre që mbajnë pushtetin”, tha ai.

Thirrje për reformë

Duke theksuar se shumë shtete të Lindjes së Mesme janë përballur me shkelje të sovranitetit të tyre, Kurtulmuşi nënvizoi se të gjitha shtetet kanë të drejta sovrane të barabarta.

Në margjinat e takimit, ai u takua me kryetarin e Asamblesë Konsultative të Omanit, Khalid al-Maawali, të cilin e falënderoi për përpjekjet ndërmjetësuese të Omanit, ndërsa bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve në Pakistan për ta kthyer armëpushimin në një marrëveshje të qëndrueshme.

Pasi risolli në vëmendje se Türkiye po e pret Asamblenë e IPU-së për herë të katërt, me rreth 155 vende të përfaqësuara në Stamboll, kryeparlamentari Kurtulmuş paralajmëroi se veprimet e Izraelit rrezikojnë të nxisin armiqësi mes shteteve të Gjirit dhe Iranit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë