Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua në Beograd me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Çekisë, Tomio Okamura, me të cilin bisedoi për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar.
Vuçiq theksoi se gjatë takimit u shqyrtuan të gjitha temat me rëndësi për të dy vendet, duke nënvizuar se bashkëpunimi ekonomik në vitet e fundit është zhvilluar në mënyrë dinamike, me rritje të shkëmbimit tregtar, tregtisë së shërbimeve dhe hyrjes së investimeve çeke.
Ai theksoi se të dyja palët do të vazhdojnë të avancojnë bashkëpunimin në fushat e energjisë dhe minierave, transportit dhe infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe industrisë automobilistike.
Vuçiq shtoi se me Okamurën ka biseduar edhe për rrugën evropiane të Serbisë dhe falënderoi Republikën Çeke për mbështetjen e vazhdueshme si në mënyrë bilaterale ashtu edhe në kuadër të iniciativave evropiane që mbështesin zgjerimin dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Vuçiq shprehu mirënjohje edhe për, siç tha, mirëkuptimin “për situatën në Kosovë”, si dhe për qëndrimin miqësor ndaj popullit serb. Gjatë takimit, presidenti serb i prezantoi Okamurës edhe projektin “Beogradi në ujë”, të cilin e përshkroi si simbol të modernizimit të përshpejtuar të kryeqytetit.
Ai shtoi se Serbia mirëpret vendimin e Republikës Çeke për pjesëmarrje në “EXPO 2027”, duke e vlerësuar këtë si konfirmim të marrëdhënieve të mira dhe përkushtimit të përbashkët për forcimin e lidhjeve ekonomike, inovative dhe kulturore.























