Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të premten se ShBA-ja mund të ndërmarrë një tjetër operacion ushtarak kundër Iranit, nëse Teherani nuk pranon të hyjë në negociata.
Duke folur në një tubim në Florida, Trump iu referua operacioneve të mëparshme të quajtura “Midnight Hammer” (Çekiçi i Mesnatës) dhe “Epic Fury” (Furia Epike), duke pretenduar se të dyja operacionet kishin dëmtuar rëndë kapacitetet bërthamore të Iranit.
“Ne i shkatërruam plotësisht kapacitetet e Iranit për pasurimin bërthamor me operacionin ‘Midnight Hammer’”, u tha Trump mbështetësve të tij.
“Ju kujtohet ai operacion që u zhvillua natën vonë? Ishte njëri prej tyre, ndërsa pjesën tjetër e përfunduam me operacionin ‘Furia Epike’”, shtoi ai.
Trump më pas ngriti mundësinë e një tjetër ndërhyrjeje ushtarake, nëse Irani nuk pranon një zgjidhje përmes negociatave.
“Mund të ndërmarrim një tjetër operacion të vogël ‘Furia Epike’, ose ata do të pranojnë të arrijnë marrëveshje”, tha ai.
“Nëse janë të zgjuar, thjesht do të thonë: ‘T’i hyjmë punës’”, deklaroi Trump, duke shtuar se dyshonte që Irani do të ndiqte këtë qasje.
Lufta që filloi në fund të shkurtit ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare, pavarësisht armëpushimit dhe një memorandumi mirëkuptimi për finalizimin e një marrëveshjeje paqeje.
Sipas raportimeve, ShBA-ja dhe Izraeli kanë hartuar plane për sulme të reja ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
Edhe Izraeli pritet të mbajë zgjedhje parlamentare më 27 tetor.





















