Komiteti Paralimpik i Kosovës ka siguruar mbështetje të shtuar financiare për vitin 2026, duke synuar pjesëmarrje më të gjerë dhe më cilësore në garat ndërkombëtare, përfshirë aktivitetet në Astana dhe Nottwill, ku vendi do të përfaqësohet edhe nga sportistë të verbër për herë të pare.
Kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini bëri të ditur se marrëveshja e financimit vjetor me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit synon të fuqizojë pjesëmarrjen e sportistëve në arenën ndërkombëtare dhe të krijojë mundësi reale për zhvillimin e parasportit në vend.
Emini tha se Kosova do të jetë pjesëmarrëse me sportistët paralimpik në garat që do të zhvillohen në Astana të Kazakistanit dhe Notwill të Zvicrës.
“Në Zvicër kemi përfaqësim për herë të parë për të verbër me sportistin Ardian Sopa, si rezultat i një pune të përkushtuar nga federata e të verbërve në identifikimin dhe zhvillimin e talentëve, ndërsa, si komitet po ofrojmë mbështetje të drejtpërdrejtë për këtë përfaqësim”, tha Emini.
Këshilltarja e ministrit të Sportit, Donika Zogu tha se këtë vit i është rritur buxheti Komitetit Paralimpik të Kosovës dhe kjo rritje është rezultat i një qasjeje të qëndrueshme institucionale ndaj parasportit dhe reflektim i punës së komitetit.
“Ne e kemi shumë të qartë se parasportistët tanë nuk përfaqësojnë vetëm suksese sportive, por edhe vlera të jashtëzakonshme të qëndrueshmërisë dhe fuqizimit të komunitetit, përkushtim, dinjitet njerëzor”, tha ajo.
Ky zhvillim vjen në kuadër të përpjekjeve për ta integruar më fuqishëm Kosovën në skenën ndërkombëtare të parasportit dhe për të rritur mbështetjen ndaj kategorive të sportistëve me aftësi të kufizuara.




















