RAJONI
2 minuta leximi
Schmidt me Rutten: Sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të BeH janë vijë e kuqe
Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Rutte është një tregues i rëndësishëm se Bosnjë e Hercegovina dhe institucionet e saj mbeten prioritet për komunitetin ndërkombëtar, tha Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.
Schmidt me Rutten: Sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të BeH janë vijë e kuqe
Schmidt me Rutten: Sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të BeH janë vijë e kuqe
10 Mars 2025

Sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ndaj funksionalitetit të institucioneve të saj, janë një vijë e kuqe që nuk duhet të kalohet, tha Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.

Christian Schmidt u takua sot në Kampin Butmir me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për të diskutuar sfidat politike dhe të sigurisë me të cilat përballet Bosnjë e Hercegovina.

“Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Rutte është një tregues i rëndësishëm se Bosnjë e Hercegovina dhe institucionet e saj mbeten një prioritet për komunitetin ndërkombëtar”, shkroi ai në rrjetin X.

Përfaqësuesi i Lartë falënderoi Rutten që riafirmoi sot se NATO, së bashku me autoritetet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, është e gatshme të mbështesë dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar prosperitetin dhe përparimin e BeH-së dhe qytetarëve të saj.

Schmidt theksoi gjithashtu se "sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ndaj funksionalitetit të institucioneve të saj, janë një vijë e kuqe që nuk duhet të kalohet".

"Kjo është e një rëndësie thelbësore për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës," përfundoi Përfaqësuesi i Lartë në BeH.

Gjatë vizitës së sotme në Sarajevë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Aleanca Veriatlantike e mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës.

"Çdo aktivitet që minon rendin kushtetues të BeH-së është i papranueshëm, retorika nxitëse është e rrezikshme," tha Rutte, duke shtuar se u takon krerëve politikë të Bosnjë e Hercegovinës të marrin përgjegjësinë për situatën në vend.

Vizita e Ruttes vjen në mes të një krize politike dhe tensioni në Bosnjë e Hercegovinë, e cila u intensifikua me miratimin dhe nënshkrimin e mëvonshëm të një dekreti për zbatimin e ligjeve të diskutueshme entitetin e BeH-së Republika Sërpska, i cili ndaloi punën e institucioneve shtetërore të sigurisë dhe gjyqësorit në atë pjesë të vendit.

Dekretet u nënshkruan nga presidenti i njësisë Millorad Dodik, i cili u dënua në shkallën e parë në fund të shkurtit për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH. Gjykata Kushtetuese e BeH-së pezulloi përkohësisht ligjet e lartpërmendura.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë