Sulmet antimyslimane dhe incidentet e diskriminimit kanë arritur një rekord të ri shqetësues në Gjermani në vitin 2025, me më shumë se 4 mijë raste të dokumentuara, njoftoi të mërkurën Aleanca Kundër Islamofobisë dhe Urrejtjes Antimyslimane (CLAIM).
Në raportin e saj vjetor, organizata për të drejtat e njeriut dokumentoi 4.096 incidente antimyslimane gjatë vitit të kaluar, që përbën një rritje prej 33 për qind krahasuar me 3.080 rastet e raportuara në vitin 2024. Kjo do të thotë mesatarisht më shumë se 11 raste antimyslimane në ditë gjatë gjithë vitit.
Sulmet verbale përbënin pjesën më të madhe, me 2.379 raste, ose 61 për qind, të ndjekura nga 840 incidente diskriminimi, ose 21,5 për qind, dhe 689 raste të sjelljeve dëmtuese, ose 17,4 për qind, ku përfshihen sulmet fizike dhe dëmtimi i pronës, tha bashkëdrejtoresha e CLAIM-it, Rima Hanano, në një konferencë për media në Berlin.
Sipas saj, është shënuar gjithashtu rritje e krimeve të rënda, me gjithsej dy vrasje, 214 raste të lëndimeve trupore, përfshirë katër raste të lëndimeve të rënda trupore ose tentativë vrasjeje, si dhe pesë raste zjarrvënieje.
Hanano theksoi se gratë janë shënjestruar në mënyrë disproporcionale, duke përbërë 64,5 për qind të viktimave individuale.
Ajo i bëri thirrje qeverisë ta marrë “seriozisht” çështjen e racizmit antimysliman, duke theksuar se komuniteti mysliman në Gjermani “nuk ka besim” te politikanët e vendit kur bëhet fjalë për trajtimin e këtij problemi.
Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore pas Francës, me rreth 5,5 milionë myslimanë nga afro 83,5 milionë banorë. Vitet e fundit, vendi është përballur me rritje të racizmit dhe dhunës antimyslimane, të nxitura nga partitë dhe lëvizjet e ekstremit të djathtë, përfshirë Alternativën për Gjermaninë, AfD.





















