OpenAI bën thirrje për reforma të gjera ekonomike mes transformimit të vrullshëm të IA-së

Kompania amerikane ka propozuar fond publik pasurie, rishikim të taksave, javë pune katërditore dhe zgjerim të rrjetit elektrik, për t’i adresuar rreziqet e humbjes së vendeve të punës dhe rritjen e kërkesës për energji nga sistemet e IA-së.

By
OpenAI bën thirrje për reforma të gjera ekonomike mes transformimit të vrullshëm të IA-së / Reuters

OpenAI bëri sot thirrje për reforma të gjera për të adresuar rritjen e shpejtë të inteligjencës artificiale, duke përfshirë krijimin e një fondi publik pasurie, taksa mbi punën e automatizuar dhe mundësinë e një jave pune katërditore.

“Po fillojmë një tranzicion drejt superinteligjencës: sisteme të inteligjencës artificiale të afta të tejkalojnë njerëzit më të zgjuar edhe kur ata ndihmohen nga IA-ja. Askush nuk e di saktësisht se si do të zhvillohet ky tranzicion. Në OpenAI, besojmë se duhet ta menaxhojmë këtë përmes një procesi demokratik që u jep njerëzve fuqi reale për të formësuar të ardhmen e inteligjencës artificiale që ata dëshirojnë”, tha kompania amerikane.

Kompania tha se dokumenti i politikave paraqet një sërë “idesh fillestare” që synojnë të adresojnë rrezikun e humbjes së vendeve të punës dhe ndërprerjeve të gjera në industri, të nxitura nga përdorimi i veglave të inteligjencës artificiale.

Ndër propozimet kryesore është krijimi i një fondi publik pasurie, sipas të cilit qeveritë dhe kompanitë e inteligjencës artificiale do të investonin së bashku në asete afatgjata të lidhura me zhvillimin e IA-së, me fitimet që do t’u shpërndaheshin drejtpërdrejt qytetarëve, sipas Business Insider.

Një propozim tjetër u kërkon qeverive të inkurajojnë dhe të stimulojnë punëdhënësit që të testojnë javën e punës katërditore pa ulur pagat si dhe të ofrojnë “bonuse për përfitime” të lidhura me rritjen e produktivitetit nga veglat e reja të IA-së.

Dokumenti gjithashtu kërkon reforma tatimore, duke përfshirë zhvendosjen e bazës së taksave drejt të ardhurave të korporatave dhe fitimeve kapitale, si dhe vendosjen e taksave mbi punën e automatizuar për të kompensuar humbjet e mundshme të vendeve të punës nga IA-ja.

OpenAI gjithashtu bëri thirrje për zgjerim më të shpejtë të rrjetit elektrik në ShBA për ta përballuar rritjen e kërkesës për energji të nxitur nga zgjerimi i qendrave të të dhënave dhe sistemet gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale.