| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Konfirmohet varreza masive në Zubin Potok, Kurti e Haxhiu kërkojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Konfirmohet varreza masive në Zubin Potok, Kurti e Haxhiu kërkojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Konfirmohet varreza masive në Zubin Potok, Kurti e Haxhiu kërkojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë kanë reaguar mbi lajmin për konfirmimin e gjetjes së një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.

Ajo vlerësoi "angazhimin dhe punën profesionale" të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat "po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi".

“Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri tek identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t'iu përgjigjur të drejtës së familjeve për ta ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, shkroi Haxhiu.

Ndërkaq, gjatë ditës duke folur për këtë varr masiv, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dyshimi i parë i institucioneve pas gjetjes së mbetjeve mortore në fshatin Kalludër është se ato mund t’u përkasin grupit prej 23 intelektualësh të Mitrovicës, të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999.

Megjithatë, Kurti tha se ende nuk mund të konfirmohet nëse bëhet fjalë për këtë grup, ndërsa theksoi se duhet pritur konfirmimi nga organet kompetente.

“Dyshimi ynë i menjëhershëm kur kemi marrë vesh se janë gjetur mbetje mortore, natyrisht ka qenë se bëhet fjalë për grupin e intelektualëve, 23-sosh, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill të vitit 1999, pra grupi i intelektualëve në Mitrovicë. Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm; sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje, por duket që kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, që është një komunë në veri të Ibrit, që ka qenë zonë e pashqyrtuar më herët, pra bëhet fjalë për një territor të paprekur prej gërmimeve”, tha Kurti të mërkurën.

Ai përsëriti thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë që të shtojnë trysni ndaj Serbisë në mënyrë që të zbardhet fati i të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Lidhur me varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut dy persona me inicialet M.J. dhe M.B. janë ndaluar për 48 orë më 28 korrik nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të ndaluar të martën në Zubin Potok, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka bërë të ditur për Anadolu se personat me inicialet M.J. dhe M.B. dyshohen në lidhje me rastin e varrezës masive të zbuluar në Zubin Potok.

“Prokuroria Speciale e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të ndaluar në Zubin Potok, të dyshuar për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, ka deklaruar zëdhënësja Luta për Anadolu.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë