Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan njoftoi të martën se kompania Turkish Petroleum është bërë partnere në fushën e prodhimit të naftës në Kirkuk të Irakut, duke e cilësuar marrëveshjen e re si “hap historik” në bashkëpunimin energjetik ndërmjet dy vendeve.
“Turkish Petroleum është pranuar si partnere në fushën e prodhimit të Kirkukut. Marrëveshja e nënshkruar sot përbën një hap historik për partneritetin në sektorin e energjisë”, deklaroi Erdoğan gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin irakian Ali al-Zaidi në Ankara.
Erdoğan tha se me al-Zaidin shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet rajonale, veçanërisht për situatën në Iran, Siri dhe Palestinë.
Ai theksoi se Türkiye është e gatshme t’i sigurojë Irakut produktet e industrisë së mbrojtjes për të cilat ka nevojë.
“Po përpiqemi që rajoni ynë të njihet jo për luftën, terrorizmin dhe konfliktet, por për zhvillimin, mirëqenien, paqen dhe stabilitetin”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se Türkiye nuk e ka konsideruar asnjëherë paqen dhe stabilitetin e Irakut si të ndara nga të vetat, pasi Iraku është ndër vendet e prekura nga luftërat dhe destabiliteti.
Presidenti turk nënvizoi gjithashtu se Projekti i Rrugës së Zhvillimit, i cili synon të lidhë Gjirin me tregjet botërore përmes Irakut, ka fituar rëndësi edhe më të madhe për shkak të zhvillimeve aktuale rajonale.
Në lidhje me sigurinë, Erdoğan tha se Ankaraja mbetet në dialog të ngushtë me Irakun për avancimin e procesit “Türkiye pa terrorizëm” dhe vizionit për një “rajon pa terrorizëm”.





















