Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se qeveria e ka bërë ekonominë turke më rezistente ndaj goditjeve globale, si dhe ka theksuar se të ardhurat kombëtare arrijnë 1,6 trilion dollarë dhe shkalla e papunësisë ka ra në 8,1 për qind pavarësisht krizave globale.
Gjatë një aktiviteti në selinë e Unionit të Dhomave dhe Bursave të Mallrave të Türkiyes në Ankara, presidenti Erdoğan tha se qeveria e ka ngritur Türkiyen në një nivel më të lartë në çdo fushë gjatë 23,5 viteve të fundit, duke e ndërtuar ekonominë mbi katër shtylla, përkatësisht prodhimin, punësimin, investimet dhe eksportet.
Erdoğan theksoi se vendi e ka zgjeruar ekonominë me 3,6 për qind vitin e kaluar pavarësisht konflikteve rajonale, duke e çuar prodhimin e brendshëm bruto në 1,6 trilion dollarë dhe të ardhurat për frymë banori në 18.040 dollarë.
Presidenti turk theksoi se vëllimi i tregtisë së jashtme arriti 820 miliardë dollarë, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve 396 miliardë dollarë, me synimin e qartë për të kaluar 400 miliardë në të ardhmen e afërt.
Erdoğan gjithashtu theksoi se eksportet në prill shënuan rekord duke u rritur 22,3 për qind në bazë vjetore në 25,4 miliardë dollarë, duke qenë të dytat më të larta mujore në historinë e republikës.
Ai shtoi se eksportet vjetore të mallrave u rritën me 4,2 për qind në 275,8 miliardë dollarë në vitin 2026, pas një vlere prej 88,6 miliardë dollarësh në periudhën janar-prill.
Sipas tij, eksportet e shërbimeve janë rritur 8,7 herë që nga viti 2002, duke arritur në 122,6 miliardë dollarë në vitin 2025, duke e bërë Türkiyen vendin e gjashtë në botë për suficitin nga shërbimet.
Presidenti turk theksoi se eksportet e industrisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore kaluan 10 miliardë dollarë vitin e kaluar, të mbështetura nga 182 marrëveshje me vlerë 8 miliardë dollarë të nënshkruara në ekspozitën SAHA 2026.
Ai shtoi se të ardhurat nga turizmi u rritën me 4,2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 në 9,9 miliardë dollarë, pas një viti të suksesshëm në 2025 kur vendi priti 64 milionë vizitorë dhe gjeneroi 65.2 miliardë dollarë.
Ai theksoi se shkalla e papunësisë ra në 8,1 për qind teksa punësimi total arriti në 32,5 milionë persona, duke e mbajtur papunësinë në një shifër të vetme për 35 muaj rresht.
Erdoğan tha se investitorët ndërkombëtarë kanë themeluar 89 mijë kompani dhe kanë investuar 290 miliardë dollarë në Türkiye gjatë 23 viteve të fundit, duke krijuar vende pune për 1,2 milion njerëz dhe duke gjeneruar 70 miliardë dollarë eksporte vjetore.
Presidenti turk u zotua për inspektime të rrepta ndaj abuzimeve me çmimet në treg, duke u bërë thirrje bizneseve t’i ruajnë vlerat tradicionale të tregtisë së ndershme.





















