Shumica e evropianëve tani mbështesin një politikë të jashtme më të pavarur për Bashkimin Evropian, duke u larguar nga mbështetja te ShBA-ja, sipas një sondazhi të ri të publikuar sot.
Studimi "Eupinions" nga Fondacioni "Bertelsmann Stiftung", i mbështetur nga Fondacioni "King Baudouin" zbuloi se 73 për qind e qytetarëve të BE-së besojnë se është koha që BE-ja ta ndjekë rrugën e saj në çështjet globale, një rritje kjo nga 63 për qind sa ishte një valë të mëparshme të sondazhit.
Ndryshimi vjen mes një rënieje të dukshme të besimit ndaj ShBA-së, me vetëm 31 për qind të të anketuarve që tani e identifikojnë ShBA-në si aleatin më të rëndësishëm të BE-së, nga 51 për qind në vjeshtën e vitit 2024.
Në të njëjtën kohë, perceptimet për partnerët alternativë janë forcuar. Mbretëria e Bashkuar tani shihet si një aleat kyç nga 24 për qind e të anketuarve ndërsa Kanadaja qëndron në 13 për qind, duke reflektuar një rivlerësim më të gjerë të marrëdhënieve transatlantike.
Sondazhi gjithashtu nxjerr në pah skepticizmin në rritje ndaj besueshmërisë së Uashingtonit. Shumica e të anketuarve e përshkruan SHBA-në si të pabesueshme, me shqetësime veçanërisht të larta në pjesë të Evropës Perëndimore.
Belgjika tregoi një nga ndryshimet më të mprehta. Vetëm 23 për qind e belgëve tani e perceptojnë ShBA-në si aleatin kryesor të BE-së ndërsa dy të tretat thonë se nuk i besojnë Washingtonit.
Në përgjithësi, 80 për qind e belgëve mbështesin reduktimin e koordinimit me SHBA-në, mbi mesataren e BE-së prej 73 për qind.
Në gjithë Evropën, dëshira për autonomi strategjike duket se përfshin grupmoshat, ku votuesit më të vjetër po rreshtohen gjithnjë e më shumë me evropianët e rinj në favor të një pavarësie më të madhe nga Washingtoni.
"Presidenca Trump ka lënë plagë të thella në marrëdhënien transatlantike. Një president amerikan polarizues dhe tensionet gjeopolitike në rritje e kanë shtyrë opinionin publik evropian drejt një qëndrimi më të pavarur", vuri në dukje raporti.





















