Ushtruesja e detyrës Presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta trajtojë me prioritet çështjen e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe që Serbia t'i zbatojë plotësisht rekomandimet e Komitetit për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD).
Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu tha se vërejtjet përfundimtare të CERD-it ndaj Serbisë e konfirmojnë shqetësimin e ngritur prej vitesh nga shqiptarët në Luginë dhe nga institucionet e Kosovës.
Ajo rikujtoi se Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute të miratuar më 24 prill 2026, për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e ka trajtuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore.
"Tani, pas gjetjeve të CERD-it, kjo përgjegjësi ka edhe një adresë të qartë ndërkombëtare", ka shkruar Haxhiu. Ajo theksoi se pasivizimi i adresave është diskriminim dhe cenim i pranisë juridike të qytetarëve, me ç'rast u mohohen dokumentet, shërbimet dhe siguria para ligjit.
"Prandaj, u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë, mekanizmave të OKB-së, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet dhe të kërkojnë nga Serbia zbatim të plotë të rekomandimeve të CERD-it", ka thënë presidentja në detyrë.
Ndryshe, rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 24 prill 2026 kërkon avancimin e përkujdesjes institucionale për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përmes mbështetjes politike, ekonomike dhe arsimore, si dhe angazhim më të madh ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Çështja e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës është kundërshtuar prej vitesh nga përfaqësuesit shqiptarë, të cilët thonë se mijëra shqiptarë janë larguar nga regjistrat civilë, duke humbur dokumentet personale, të drejtën e votës dhe qasjen në shërbime publike. Autoritetet serbe thonë se bëhet fjalë për verifikim të vendbanimeve sipas ligjit.




















