| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Nga 1 maji linjë e drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Tivatit
Linja do të funksionojë dy herë në javë, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi planifikojnë organizimin e një forumi biznesi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Nga 1 maji linjë e drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Tivatit
Nga 1 maji linjë e drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Tivatit

Nga 1 maji do të vendoset linjë e drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Tivatit, e cila fillimisht do të operojë dy herë në javë, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Filip Ivanoviq, Nikoloski theksoi se linja e re ajrore do të kontribuojë në rritjen e numrit të udhëtarëve, shkëmbimeve turistike dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Ai bëri të ditur se gjatë vitit të ardhshëm do të organizohet një forum biznesi, ku kompanitë nga të dy vendet do të diskutojnë mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik.

Nikoloski foli edhe për ndërlidhjen infrastrukturore, duke theksuar se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, si dhe lidhja me portet e Selanikut, Durrësit dhe Tivarit, janë pjesë e përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për të siguruar dalje në të paktën tri porte.

"Sigurisht, folëm edhe për bashkëpunimin politik, i cili është i shkëlqyer dhe që do të thellohet më tej. Përgëzuam Malin e Zi për reformat që po zbaton dhe për të gjitha arritjet e mëdha në afrimin drejt Bashkimit Evropian (BE). Shpresoj dhe dëshiroj që gjatë vitit 2028, Mali i Zi të bëhet anëtari i ri i BE-së", tha Nikoloski.

Ai shtoi se të dy vendet nuk kanë çështje të hapura mes tyre, gjë që krijon hapësirë të konsiderueshme për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të tjera në interes të qytetarëve.

Ivanoviq: BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa të gjitha vendet e rajonit

Nga ana tjetër, Ivanoviq tha se Mali i Zi është vendi më i avancuar në procesin e integrimit evropian dhe pret që negociatat për anëtarësim të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërsa vendi të bëhet anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.

Ai theksoi se BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa të gjitha vendet e rajonit.

"Pasi Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i BE-së, ai do të jetë një mbështetës i fuqishëm dhe një burim përkrahjeje të fortë edhe për Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit evropian, me dëshirën që sa më shpejt të gjendemi së bashku në familjen politike evropiane", deklaroi Ivanoviq.

Duke folur për linjën ajrore mes Shkupit dhe Tivatit, ai tha se ndërlidhja ajrore mes dy vendeve do të lehtësojë udhëtimin e qytetarëve, do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit, do të forcojë lidhjet e biznesit dhe do të hapë mundësi shtesë për bashkëpunim institucional.

Ivanoviq shtoi se Maqedonia e Veriut mund të jetë plotësisht e sigurt se në Malin e Zi do të ketë një partner dhe mik të besueshëm.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë