Guvernatori i Jerusalemit tha në një deklaratë se rabini Yehuda Glick, ish-anëtar i Parlamentit izraelit, udhëhoqi hyrjen e okupuesve në vendin e shenjtë nën mbrojtjen e policisë izraelite. Sipas deklaratës, autoritetet izraelite mbajtën një ceremoni diplomimi për 100 ushtarë në Murin Perëndimor (Muri Al-Buraq), brenda xhamisë.
Muri Al-Buraq, i quajtur nga hebrenjtë si Muri Perëndimor ose Muri i Vajtimit, është një vend fetar i rëndësishëm si për myslimanët ashtu edhe për hebrenjtë, si dhe pjesë e kompleksit të Xhamisë Al-Aksa.
Guvernatori postoi një video në “Facebook”, e cila tregon Glickun dhe pushtuesit ekstremistë brenda kompleksit të xhamisë nën mbrojtjen e policisë. Ai publikoi pamje të tjera që tregonin ceremoninë e diplomimit të ushtarëve, ku u ngritën flamuj izraelitë.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për myslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta. Policia izraelite i ka lejuar pushtuesit të hyjnë në kompleksin e Al-Aksasë çdo ditë, përveç ditëve të premte dhe të shtuna, që nga viti 2003.
Pushtuesit izraelitë e sulmuan xhaminë 30 herë në prill, sipas Ministrisë palestineze të Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare. Palestinezët thonë se Izraeli ka intensifikuar përpjekjet prej dekadash për hebraizimin e Jerusalemit Lindor, përfshirë Xhaminë Al-Aksa, si dhe për të fshirë identitetin arab dhe islam të qytetit.
Palestinezët e kërkojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, duke përmendur rezolutat ndërkombëtare që nuk e njohin pushtimin e qytetit nga Izraeli në vitin 1967 ose aneksimin e tij në vitin 1980.
Sulmohen dy vajza palestineze
Nën mbikëqyrjen e policisë, pushtuesit izraelitë sulmuan dy vajza palestineze në Jerusalemin Lindor të pushtuar. Videot treguan pushtuesit duke i rrahur vajzat me shkopinj, ndërsa policia izraelite shikonte dhe nuk ndërhynte.
Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor, territore palestineze nën pushtim, kanë regjistruar rritje të sulmeve izraelite, përfshirë bastisje, arrestime, të shtëna dhe përdorim të tepruar të forcës, së bashku me sulmet në rritje të pushtuesve kundër palestinezëve dhe pronës së tyre.
Rreth 750 mijë pushtues (kolonë) izraelitë jetojnë në 141 vendbanime të paligjshme dhe 224 pika të para të banimit në Bregun Perëndimor, përfshirë rreth 250 mijë në Jerusalemin Lindor, të cilin OKB-ja e konsideron pjesë të territorit të pushtuar palestinez.
Sulmet nga ushtria izraelite dhe pushtuesit kanë vrarë të paktën 1.155 palestinezë, kanë plagosur rreth 11.750 dhe kanë çuar në arrestimin e gati 22 mijë personave që nga tetori 2023, sipas shifrave zyrtare palestineze.
















