Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me kryetarin e Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës e Hercegovinës, Kemal Ademoviq.
Sipas një njoftimi nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, kryeparlamentari Gashi shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, "të cilat nuk janë të ngarkuara nga çështjet dypalëshe dhe si një urë shtesë lidhjeje".
Gashi, sipas njoftimit, gjithashtu e theksoi rolin e boshnjakëve në Maqedoninë e Veriut dhe të diasporës së Maqedonisë së Veriut në Bosnjë e Hercegovinë.
"Gashi nënvizoi se është e nevojshme të përmirësohen lidhjet e komunikacionit midis dy vendeve si bazë për bashkëpunim më të mirë ekonomik dhe çdo bashkëpunim tjetër dhe në këtë kontekst iu referua rinovimit të lidhjes hekurudhore si dhe vendosjes së linjës ajrore Shkup-Sarajevë. Në dritën e Konferencës së ardhshme të Nismës Adriatiko-Joniane, kryetari Gashi theksoi se temat e Konferencës, paqja, diplomacia parlamentare dhe përparimi i korridoreve 8 dhe 10 janë tregues i interesit të vendeve dhe përpjekjeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian (BE)", thuhet në njoftim.
Bosnjë e Hercegovina e vlerëson shumë homazhin e Kuvendit për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës
Nga ana tjetër në njoftim thuhet se kryetari Ademoviq falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe ndau pritshmëritë e tij nga Konferenca e kryesuar nga Maqedonia e Veriut.
"Bosnja e Hercegovina e vlerëson shumë homazhin e Kuvendit për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës duke shënuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike. Theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe Procesi i Berlinit janë veçanërisht të rëndësishëm për përparimin e Rajonit drejt BE-së", thekson njoftimi.
Më tej, u bë e ditur se bashkëbiseduesit ranë dakord që bashkëpunimi dypalësh dhe vizitat e ndërsjella në të gjitha nivelet dhe në shumë fusha duhet të intensifikohen.























