Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konstatuar se është konstituuar legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës, pasi janë zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ai nga komuniteti serb, si dhe nënkryetari nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.
Nga radhët e LDK-së për nënkryetar u emërua Kujtim Shala, nga radhët e serbëve u emërua deputetja e Listës Serbe, Tanja Vujoviq, ndërsa nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe nënkryetare e Kuvendit u emërua Emilja Rexhepi. Gjatë javës, po ashtu u miratua Ardian Gola si nënkryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë seancë Haxhiu tha se përkundër thirrjeve të përsëritura që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të marrë pjesë në seancë, deputetët e kësaj partie nuk erdhën në seancë.
PDK-ja para fillimit të seancës njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seanca të tjera dhe se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu në një letër drejtuar Haxhiut tërhoqi përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.
Haxhiu ka thënë se bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese askush nuk mund ta mbajë të bllokuar konstituimin.
Lëvizja Vetëvendosje ditën e djeshme doli me qëndrimin se do t’ua votojë nënkryetarët të gjitha partive të tjera, në mënyrë që ta zgjidhë ngërçin politik.
Nga tani, sipas Kushtetutës janë në dispozicion 60 ditë për ta votuar presidentin e ri të Republikës së Kosovës.
Deri më tani, Bekim Sejdiu është kandidati konsensual për të cilin janë pajtuar partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, mirëpo nga LDK-ja kanë dalë gjashtë deputetë kundër këtij kandidati për president.




















