Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është takuar me komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, në margjinat e takimit joformal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (BE), që po zhvillohet në Dublin të Irlandës.
Përmes një postimi në platformën sociale X, Hoxha tha se me Kos ka shkëmbyer pikëpamje mbi dinamikat aktuale të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, perspektivat e tij dhe, mbi të gjitha, rëndësinë e ruajtjes së ritmit dhe momentit të negociatave.
“Për Shqipërinë, objektivi mbetet i qartë: të ecim përpara me vendosmëri dhe të mbyllim sa më shumë kapituj negociues të jetë e mundur këtë vit, duke vazhduar të përmbushim reformat dhe angazhimet”, tha Hoxha.
Ai theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e fokusuar në punën përpara dhe e vendosur të ruajë ritmin e negociatave, duke shtuar se procesi i zgjerimit bazohet në meritë, ritëm dhe rezultate.



























