Papa: Islamofobia në Evropë nxitet nga ata që kërkojnë t'i përjashtojnë të tjerët

Ati i Shenjtë thotë se bashkëjetesa kristiano-myslimane në Liban ofron mësime të vlefshme për shoqëritë perëndimore, duke theksuar rolin thelbësor të Evropës në përpjekjet për paqe në Ukrainë.

By
Papa: Islamofobia në Evropë nxitet nga ata që kërkojnë të përjashtojnë të tjerët / Reuters

Papa Leo XIV deklaroi të martën se islamofobia në Evropë shpesh nxitet nga ata që kërkojnë të përjashtojnë njerëz të besimeve apo prejardhjeve të ndryshme.

Ai theksoi se bashkëjetesa mes të krishterëve dhe myslimanëve në Liban ofron mësime për Evropën dhe Amerikën e Veriut, dhe se duhet kërkuar vazhdimisht rrugë për dialog të sinqertë dhe respekt të ndërsjellë.

Ati i Shenjtë u kthye në Romë me një avion të posaçëm të ITA Airways, pas përfundimit të vizitës së tij të parë zyrtare jashtë vendit, që përfshiu Türkiyen dhe Libanin.

Duke folur me gazetarët që e shoqëronin në aeroplanin papal, ai bëri vlerësime mbi vizitën e tij, si edhe mbi disa zhvillime ndërkombëtare e rajonale.

I pyetur nëse synon të përdorë marrëdhëniet e tij me presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pas komenteve të tij të fundit se “Izraeli është miku ynë”, për të ndihmuar ndalimin e sulmeve izraelite në Liban dhe nëse paqja e qëndrueshme në rajon është e mundur, Papa u shpreh se: “Para së gjithash, po, besoj se paqja e qëndrueshme është e mundur. Kam nisur të bisedoj me disa prej liderëve që përmendët, edhe në mënyrë të kufizuar, dhe kam ndërmend ta vazhdoj këtë qoftë personalisht, qoftë përmes Vatikanit”.

Kreu i Vatikanit tha se kishte zhvilluar bisedime edhe në Liban me autoritete politike të lidhura me konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare.

“Puna jonë nuk është diçka që e njoftojmë publikisht. Ajo zhvillohet më shumë pas skene. Në fakt, ne tashmë po e bënim këtë, dhe do të vazhdojmë të përpiqemi të bindim palët të braktisin armët dhe dhunën, të ulen në tryezën e dialogut dhe të kërkojnë zgjidhje jo të dhunshme, më efektive dhe më të mira për popullin”, tha ai.

I pyetur nëse grupi libanez Hezbollah kishte marrë mesazhin e tij të lidhur me vizitën, Papa u përgjigj: “Po, e pashë këtë. Është e qartë se Kisha propozon braktisjen e armëve dhe kërkimin e dialogut. Por përtej kësaj, preferoj të mos komentoj në këtë kontekst.”

Duke iu përgjigjur pyetjeve për rritjen e tensioneve mes NATO-s dhe Rusisë dhe për propozimin e Trumpit për një plan paqeje në Ukrainë që fillimisht përjashtonte Evropën, Papa tha: “Ky është padyshim një çështje shumë e rëndësishme për paqen botërore. Por Vatikani nuk ka përfshirje të drejtpërdrejtë, sepse nuk jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk kemi pasur rol të drejtpërdrejtë në dialogun që është zhvilluar deri tani.Megjithatë, kemi bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme për armëpushim, për dialog dhe për t'i dhënë fund luftës. Por sot përballemi me një konflikt me shumë dimensione”.

Papa Leoni XIV shtoi se Trump fillimisht kishte shqyrtuar një plan paqeje pa pjesëmarrjen e Evropës.

“Prania e Evropës është në fakt shumë e rëndësishme. Për këtë arsye, ai propozim fillestar u ndryshua në përputhje me shqetësimet e shprehura nga Evropa. Mendoj se Italia mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm, sepse në aspektin kulturor dhe historik, Italia ka kapacitet të veprojë si ndërmjetëse mes palëve të ndryshme, përfshirë Ukrainën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Papa deklaroi se Vatikani mund të mbështesë përpjekje të tilla ndërmjetësimi dhe theksoi se të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje që siguron një paqe vërtet të drejtë për Ukrainën.

I pyetur nga një tjetër gazetar se si e sheh besimin e disa katolikëve se Islami rrezikon identitetin kristian të Perëndimit, Papa Leo tha se: “Gjatë kohës sime në Türkiye dhe Liban, të gjitha takimet u përqendruan pikërisht te paqja dhe respekti mes njerëzve me besime të ndryshme. E vërteta është se e di që kjo nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.

E di që nganjëherë në Evropë ka frikë, por ajo shpesh ushqehet nga ata që kundërshtojnë migracionin dhe që përpiqen të përjashtojnë njerëz që vijnë nga një vend tjetër, një fe tjetër apo një etni tjetër.”

Ai tha se dialogu dhe miqësia mes myslimanëve dhe të krishterëve janë plotësisht të mundshme.

“Mendoj se një nga mësimet e mëdha që Libani mund t’i japë botës është fakti që është një vend ku ekzistojnë dhe respektohen si Islami, ashtu edhe Krishterimi; një vend ku bashkëjetesa dhe miqësia janë të mundshme.

Historitë që dëgjuam këto dy ditë dëshmi të myslimanëve dhe të krishterëve që ndihmojnë njëri-tjetrin, madje edhe në fshatra të shkatërruara janë mësime të rëndësishme që duhet të dëgjohen edhe në Evropë apo Amerikën e Veriut. Ndoshta duhet të kemi më pak frikë dhe të kërkojmë mënyra për të nxitur dialog të vërtetë dhe respekt të ndërsjellë”, tha ai.

Sa i përket tensioneve mes ShBA-së dhe Venezuelës, Papa tha: “Në situata të tilla, ata që vuajnë zakonisht nuk janë autoritetet, por njerëzit. Deklaratat nga Shtetet e Bashkuara ndryshojnë shpesh.

Nga njëra anë thuhet se të dy presidentët kanë folur në telefon. Nga ana tjetër, ekziston ky rrezik, kjo mundësi, që mund të ketë një veprim, një operacion, përfshirë edhe një pushtim të territorit venezuelas. Nuk di më shumë. Personalisht shpresoj që të ndiqen rrugë dialogu, ndoshta sanksione ekonomike, por në çdo rast, kërkim i dialogut”.

Papa Leoni tha se dëshiron të vizitojë Argjentinën, Uruguajin dhe Perunë, por me shumë gjasë do të udhëtojë fillimisht në Afrikë.

Ai shprehu gjithashtu dëshirën për të vizituar Algjerinë.