Futbollisti shqiptar i ekipit turk Trabzonspor, Ernest Muçi, autor i golit të parë në ndeshjen e klubit ndaj Fethiyespor të cilën e fituan me rezultat 3-0, vazhdon të japë kontribut për ekipin e tij me golat e shënuar.
Futbollisti shqiptar, i huazuar nga Beşiktaşi pas fillimit të sezonit për 1 milion euro, ka realizuar 8 gola në 16 ndeshje në Superligë me fanellën e ekipit nga rajoni i Detit të Zi, ndërsa në Kupën e Türkiyes Ziraat ka shënuar 3 gola në 4 ndeshje.
Duke përfshirë Superligën, Kupën e Türkiyes Ziraat dhe Superkupën, lojtari shqiptar ka shënuar gjithsej 11 gola në 21 ndeshje me Trabzonsporin, duke dhënë një kontribut shumë më të madh krahasuar me periudhën e tij te Beşiktaşi.
Lojtari me më shumë gola pas Onuachut
Me 11 gola, Ernest Muçi u rendit si lojtari që ka shënuar më shumë gola te Trabzonspori pas sulmuesit Paul Onuachu.
Onuachu, i cili është golashënuesi më i mirë i ekipit, ka realizuar 14 gola në gjithsej 19 ndeshje, me 13 gola në 17 ndeshje në Superligë dhe 1 gol në 2 ndeshje në Kupën e Türkiyes Ziraat. Ndërkohë, Muçi, me golin e shënuar kundër Fethiyesporit, la pas Auguston, i cili kishte shënuar 10 gola në 23 ndeshje zyrtare.
Golashënuesi më i mirë i kupës
Muçi u bë një nga golashënuesit më të mirë të Trabzonsporit në Kupën e Türkiyes Ziraat.
Në Kupën e Türkiyes, ku Trabzonspori ka shënuar 11 gola këtë sezon, Muçi, së bashku me Danylo Sikanin, i cili u transferua gjatë afatit kalimtar të dimrit te Anderlechti i Belgjikës, kryesojnë listën e golashënuesve me nga 3 gola secili.
Muçi kontribuoi në fitoret e Trabzonsporit duke shënuar 2 gola ndaj Istanbulsporit dhe 1 gol ndaj Fethiyesporit.
13 pikë në ndeshjet ku shënoi në ligë
Trabzonspori grumbulloi 13 pikë në ndeshjet e Superligës ku Ernest Muçi shënoi gola, me 4 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.
Muçi, i cili në ditët e para te ekipi ishte në qendër të kritikave, por vazhdoi të merrte minuta loje falë besimit të trajnerit Fatih Tekke, i ka dhënë ekipit një hov të madh veçanërisht në javët e fundit.
Futbollisti shqiptar shënoi nga dy gola në fitoret ndaj RAMS Başakşehir dhe Göztepe, si dhe nga një gol në ndeshjet kundër TUMOSAN Konyasporit dhe Kocaelisporit.
Ai gjithashtu realizoi nga një gol në barazimin ndaj Beşiktaşit dhe në humbjen ndaj Gençlerbirliği.

















