Ushtria e Jemenit njoftoi të mërkurën se avionët e saj luftarakë kanë kryer gjashtë sulme ajrore ndaj pozicioneve të Huthive në provincën Taiz, në jugperëndim të vendit.
Komanda e Boshtit Ushtarak të Taizit njoftoi për sulmet në dy deklarata të publikuara në Facebook.
Sipas saj, avionët ushtarakë kanë kryer tri sulme në rrethet Al-Misrakh dhe Samea, në jug të Taizit.
Në një deklaratë të dytë, komanda njoftoi për tri sulme të tjera ndaj pozicioneve të Huthive në malin Al-Armah, në rrethin Jabal Habashi, në perëndim të Taizit.
Ushtria nuk specifikoi objektivat e sulmeve dhe as nëse ato kanë shkaktuar viktima apo dëme materiale.
Huthit nuk kanë bërë ende ndonjë koment lidhur me sulmet.
Që nga korriku, përshkallëzimi ushtarak mes forcave qeveritare të Jemenit dhe Huthive ka rifilluar, veçanërisht në provincat Taiz dhe Lahj, duke shkaktuar mijëra të vrarë dhe të plagosur, sipas raporteve të OKB-së.
Jemeni është në luftë që nga shtatori i vitit 2014, kur Huthit morën nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa provinca të tjera. Një koalicion arab i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në mars të vitit 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.




























