Në Tiranë është hapur ekspozita mbi trashëgiminë historike dhe kulturore të komunitetit egjiptian në Shqipëri, raporton Anadolu.
Ekspozita organizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë (DPA) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit dhe përmban dokumente dhe fotografi të ndryshme.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të DPA-së, të institucioneve të tjera dhe studiues.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Auron Rrokaj, në fjalën e tij u shpreh se është shumë i lumtur që organizojnë këtë veprimtari.
"Jam i kënaqur që jam këtu sot. Njoh shumë mire detyrimet ligjore që kam si institucion në përmbushje të të gjithë kritereve, kushteve dhe kuotave (ndaj pakicave)", u shpreh Rrokaj.
Rrokaj u fokusua edhe tek mbështetja për personat që u përkasin pakicave, përfshirë edhe atë egjiptiane në Shqipëri, për përfshirjen e tyre në institucione.
Ekspozita përmban dokumente dhe fotografi të ndryshme mbi trashëgiminë historike dhe kulturore të komunitetit egjiptian në Shqipëri.
Egjiptianët e Shqipërisë njihen si pakicë kombëtare, sipas përcaktimeve të ligjit “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.





















