| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye përkujton Ataturkun në 87-vjetorin e vdekjes së tij
Ceremonia filloi me pjesëmarrjen e presidentit Erdoğan, kryetarit të Parlamentit Kurtulmus, anëtarëve të kabinetit, udhëheqësve të partive politike, figurave të larta gjyqësore dhe komandantëve ushtarakë.
Türkiye përkujton Ataturkun në 87-vjetorin e vdekjes së tij
Türkiye përkujton Ataturkun në 87-vjetorin e vdekjes së tij / AA
10 Nëntor 2025

Themeluesi i Republikës së Türkiyes, Mustafa Kemal Ataturk u përkujtua sot në 87-vjetorin e vdekjes së tij me ceremoni zyrtare shtetërore në Anitkabir, mauzoleun e tij në kryeqytetin Ankara.

Ceremonia filloi me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, kryetarit të Parlamentit Numan Kurtulmuş, anëtarëve të kabinetit, udhëheqësve të partive politike, figurave të larta gjyqësore dhe komandantëve ushtarakë.

Erdoğan vendosi kurorë me karafil të kuq dhe të bardhë në formën e flamurit turk në varrin e Ataturkut.

Në orën 9:05 të mëngjesit sipas orës lokale, koha e saktë e vdekjes së Ataturkut, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje, e ndjekur nga intonimi i himnit kombëtar. Gjatë homazheve, flamuri turk u ul në gjysmështizë.

Më vonë, Erdogani dhe zyrtarët shoqërues shkuan në kullën Misak-i Milli, ku ai nënshkroi Librin Përkujtimor të Anitkabirit, duke i bërë homazh Ataturkut dhe bashkëluftëtarëve të tij.

"Ne e mbrojmë me pasion Republikën e Türkiyes, të cilën ju e quajtët 'vepra juaj më e madhe' dhe vazhdojmë të zbukurojmë çdo centimetër të vendit tonë me arritje të reja", shkroi Erdoğan.

"Nën udhëheqjen e kuadrove kompetentë dhe të kualifikuar, Türkiye po përparon me hapa të sigurt në rrugën e saj për t'u bërë fuqi globale", shtoi ai.

Ataturku shërbeu si presidenti i parë i republikës deri më 10 nëntor 1938, kur ndërroi jetë në Istanbul në moshën 57 vjeç për shkak të cirrozës.

Populli turk tradicionalisht viziton mauzoleun e Ataturkut çdo 10 nëntor për t'i bërë nderime themeluesit të Republikës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë