Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar i kërkuan të premten Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ta japë mbështetjen e plotë për planin e ri të armëpushimit në Gaza, duke e theksuar rëndësinë e zbatimit të tij të shpejtë dhe të plotë.
Në një deklaratë të përbashkët, tre liderët mirëpritën “marrëveshjen për armëpushim në Lindjen e Mesme, lirimin e planifikuar të pengjeve dhe rifillimin e ndihmave humanitare për popullsinë civile të Gazës”.
Ata vlerësuan “udhëheqjen” e Presidentit amerikan Donald Trump në këtë çështje, si dhe përpjekjet diplomatike të ndërmjetësve Türkiye, Egjipt dhe Katar, dhe “mbështetjen jetike nga vendet e rajonit” për arritjen e marrëveshjes.
“Është tani me rëndësi thelbësore që të gjitha palët të zbatojnë plotësisht dhe pa vonesë detyrimet e tyre. Ne jemi gati të mbështesim bisedimet e mëtejshme për fazat e ardhshme të planit dhe të kontribuojmë në zbatimin e tij”, thuhet në deklaratë.
“Si pjesë e këtij përpjekjeje, ne biem dakord që Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të japë mbështetjen e plotë për planin dhe të ndihmojë në zbatimin e tij”, shtuan liderët.
Po ashtu, ata u zotuan të ofrojnë “paketa të rëndësishme ndihme humanitare përmes agjencive të OKB-së”, që do të shpërndahen sapo armëpushimi të hyjë në fuqi.
Më 29 shtator, Trump prezantoi një plan 20-pikësh për Gazën, që përfshin: lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm, dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza, pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit.
Plani gjithashtu parashikon financim arab dhe islam për administratën e re dhe rikonstruksionin e enklavës, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.
Shtetet arabe dhe islame, në përgjithësi, e kanë mirëpritur planin, megjithatë disa zyrtarë kanë theksuar se shumë detaje kërkojnë diskutime dhe negociata për t’u zbatuar plotësisht.
Irani dhe Ukraina
Në lidhje me Iranin, deklarata theksoi mbështetjen e vendeve të E3 (Francë, Gjermani, Britani) për mekanizmin e “snapback”, përmes të cilit mund të rikthehen sanksionet e OKB-së ndaj Teheranit, duke e cilësuar programin bërthamor iranian si “një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë globale.”
Vendet thanë se janë të vendosura t'i “rinisin negociatat me Iranin dhe Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të verifikueshme që do të sigurojë që Irani të mos zotërojë kurrë një armë bërthamore,” duke u bërë thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së të respektojnë kufizimet ekzistuese.
Sa i përket Ukrainës, liderët dënuan ashpër sulmet përshkallëzuese të Rusisë dhe “sulmet sistematike ndaj infrastrukturës kombëtare kritike”, jetike për civilët gjatë dimrit.
Ata u zotuan të rrisin presionin ndaj Moskës dhe sinjalizuan gatishmëri për të përdorur asetet shtetërore të ngrira ruse për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës, “në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara”.