Zv/kryeministrja spanjolle kritikon nënshtrimin e BE-së ndaj Trumpit
"Evropa ka dështuar të mbrojë të drejtën ndërkombëtare ndërsa luftërat intensifikohen në Gazë dhe Lindjen e Mesme", tha zëvendëskryeministrja e Spanjës, Yolanda Diaz.
Zëvendëskryeministrja e Spanjës, Yolanda Diaz, akuzoi sot udhëheqësit evropianë për nënshtrim ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe kritikoi ashpër reagimin e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndaj konflikteve globale në rritje.
Duke folur për transmetuesin publik spanjoll “RTVE”, Diazi tha se Evropa ka dështuar të mbrojë të drejtën ndërkombëtare teksa luftërat intensifikohen në Gazë dhe Lindjen e Mesme.
“Është një turp që shumë krerë shtetesh heshtin. Po shohim një gjenocid në Gazë, po shohim Trumpin që bën çfarë të dojë dhe tani një tjetër luftë jolegjitime e të jashtëligjshme dhe askush nuk thotë asgjë”, shtoi ajo.
Diazi kritikoi veçanërisht Von der Leyenin, duke e quajtur “të pahijshëm” qëndrimin e saj të fundit të politikës së jashtme dhe duke akuzuar KE-në se nuk ka vepruar në një moment të paqëndrueshmërisë ndërkombëtare në rritje.
“Nuk mund të thuash se ligjshmëria ndërkombëtare nuk ka rëndësi. Një demokrat nuk mund ta thotë këtë dhe aq më pak presidentja e KE-së”, u shpreh zv/kryeministrja spanjolle, duke iu referuar fjalimit të Von der Leyenit para ambasadorëve në fillim të kësaj jave, në të cilin ajo i bëri thirrje Evropës të miratojë një politikë të jashtme më realiste.
Ajo tha se Trumpi e ka bërë të qartë se BE-ja vetëm “e pengon” dhe se ai synon “ta eliminojë këtë aktor të fortë në botë”. “Por, larg marrjes së masave për të zvogëluar varësinë tonë teknologjike, energjetike dhe financiare nga ShBA-ja dhe për të ruajtur këtë hapësirë ekonomike dhe politike kyçe, ne i përkulemi interesave të Trumpit”, tha Diazi.
“Evropa nuk mund të mbetet midis Uashingtonit dhe Pekinit pa bërë asgjë”, shtoi ajo, duke paralajmëruar gjithashtu se më shumë çrregullim i tregjeve sipas modelit amerikan mund të sjellë pasiguri ekonomike më të madhe në të gjithë bllokun dhe mund të nxisë rritjen e lëvizjeve të ekstremit të djathtë.
Pavarësisht kritikave të saj ndaj lidershipit të BE-së, Diazi tha se Madridi zyrtar ka marrë qëndrim të qartë në Bruksel. “Qeveria spanjolle sot është një fener (ndriçues) moral”, tha ajo dhe vijoi me këto fjalë: “Ne kemi folur qartë në zemër të Evropës, duke ngritur flamurin e paqes, të drejtës ndërkombëtare dhe demokracisë.”
Diazi theksoi se qeveria do të njoftojë masa ekonomike dhe sociale të reja ditën e martë për të trajtuar efektet e krizës ekonomike të nxitur nga lufta e Iranit. Masat pritet të përfshijnë mbrojtje për punëtorët dhe kompanitë që përballen me kostot energjetike në rritje, përfshirë mekanizma të tillë si skemat e punësimit të përkohshëm, ngrirjen e qirasë dhe ndalimin e dëbimeve.
“S’keni pse të pushoni nga puna askënd. Ne kemi mekanizma për t’i shoqëruar kompanitë dhe për t’i mbrojtur punëtorët”, tha zv/kryeministrja spanjolle.