Në Republikën e Kosovës janë hapur nga ora 07:00 vendvotimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, raporton Anadolu.
Këto zgjedhje janë të tretat me radhë brenda 16 muajve në Kosovë dhe të cilat vijnë pas një periudhe disamujore krize politike në vend.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2.092.174 votues.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 1.959.962 votues.
Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132.212 votues, prej të cilëve 100.970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3.518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27.724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2.498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit do të marrin pjesë 21 subjekte politike me 902 kandidatë për deputetë. Nga numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara janë: 17 parti politike; tri koalicione; dhe një kandidat i pavarur.
Edhe këto zgjedhje do të monitorohen nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim të garantimit të një procesi të rregullt, të lirë dhe demokratik.
Rezultatet preliminare të procesit zgjedhor pritet të bëhen publike disa orë pas mbylljes së kutive të votimit.






















