Kosovë, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit e rastit Banjska
Prokurori Naim Abazi ka thënë se nëse nuk jepet dënim maksimal për të akuzuarit, sipas tij, do të relativizohet rendi kushtetues.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit e rastit Banjska që ndodhi më 24 shtator 2023.
Prokurori special Naim Abazi ka përmbyllur fjalën përfundimtare duke i thënë Gjykatës Themelore në Prishtinë se rasti i sulmit terrorist në Banjskë, nuk është i zakonshëm, meqë ai është thelbësor për rendin kushtetues të Kosovës.
Prokurori Abazi ka thënë se nëse nuk jepet dënim maksimal për të akuzuarit, sipas tij, do të relativizohet rendi kushtetues. "Dënimi i vetëm proporcional është burgimi i përjetshëm. Çdo dënim më i ulët do të ishte në shpërputhje me gravitetin e veprës", ka thënë ai.
Abazi tha se provat dëshmojnë për sulm të organizuar, të planifikuar, me armatim të rëndë, me qëllim të destabilizimit të strukturave kushtetuese të Kosovës dhe që kishte për qëllim ndarjen e veriut nga Kosova.
Ai theksoi se Bllagoje Spasojeviq u gjet i plagosur e i veshur me jelek antiplumb dhe se Vladimir Toliq ishte i armatosur me kallashnikov i mbushur plotë me fishekë në momentin e arrestimit. Ndërsa për Dushan Maksimoviqin, prokurori Abazi tha se ka komunikime që dëshmojnë organizim, si kur ka shkruar se “Ka të shtëna nga të gjitha anët, luftë” dhe komunikime të tjera që dëshmojnë se ai shkoi në vendngjarje dhe nuk iu shmang grupit kriminal.
Prokurori Abazi i kërkoi gjykatës që t’i marrë parasysh rrethanat rënduese, përfshirë atë se kryerja e veprës terroriste përbën nivelin më të lartë i rrezikshmërisë shoqërore.
Të dy avokatët, Besjana Ismaili, avokatja e policit Çlirim Shaqiri që u lëndua gjatë sulmit në Banjskë si dhe avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, kërkuan që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Komunës së Zveçanit. 42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati, ndërsa për rastin po gjykohen vetëm tre të akuzuarit.
Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale "Kryerja e veprës terroriste", "Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës", "Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit" si dhe "Shpëlarja e parave".
Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe ta bashkangjesin me Serbinë, me ç'rast si rezultat i kësaj, nga gjuajtjet me armë në drejtim të Policisë së Kosovës nga ky grup, mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku derisa u rrezikua edhe jeta e zyrtarëve tjerë policorë.