Mbi 3.500 sportistë priten të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, do të presë Lojërat Mesdhetare 2030, edicioni i XXI-të i këtij aktiviteti të madh shumëdisiplinor, që do të zhvillohet nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030.

By
Mbi 3.500 sportistë priten të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare 2035 në Kosovë / AA

Në këtë ngjarje pritet pjesëmarrja e mbi 3 500 sportistëve nga 26 vende të rajonit mesdhetar, të cilët do të konkurrojnë në 33 sporte të ndryshme. 

Garat e lundrimit, si pjesë e disiplinave ujore, do të organizohen në qytetin e Durrësit, në Shqipëri.

Prishtina fitoi të drejtën e organizimit më 8 shtator 2023, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, e mbajtur në Heraklion të Greqisë. 

Mbështetja e gjerë për kandidaturën e Kosovës u vlerësua si një hap i rëndësishëm historik, duke qenë se vendi do të organizojë për herë të parë një ngjarje sportive ndërkombëtare të këtyre përmasave, pas anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014.

Lojërat Mesdhetare 2030 përfaqësojnë projektin më të madh sportiv të ndërmarrë deri më tani në Kosovë. Në kuadër të përgatitjeve, institucionet përgjegjëse kanë miratuar një ligj të veçantë organizativ, i cili synon përshpejtimin e investimeve në infrastrukturën sportive dhe ndërtimin e objekteve kryesore në Prishtinë. 

Struktura organizative drejtohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës.

Rëndësi të veçantë në realizimin e këtij projekti ka edhe marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e nënshkruar në dhjetor 2024, e cila parashikon që Durrësi të shërbejë si qytet bashkëorganizator për garat e lundrimit.

Ky bashkëpunim konsiderohet vendimtar për përmbushjen e standardeve të Lojërave Mesdhetare dhe për forcimin e pranisë ndërkombëtare të Kosovës përmes sportit.