Kryediplomati turk homologut iranian: Shkelja e hapësirës ajrore të Türkiyes është e papranueshme
Gjatë bisedës telefonike, ministri Fidan theksoi se "shkelja e hapësirës ajrore turke është e papranueshme" dhe nënvizoi se Türkiye "do të vazhdojë t’i marrë të gjitha masat e nevojshme kundër kësaj".
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian të martën tha se shkelja e hapësirës ajrore të Türkiyes është "e papranueshme".
Sipas të dhënave nga burimet diplomatike, kryediplomati turk Fidan zhvilloi një telefonatë me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Gjatë telefonatës, Fidan theksoi se "shkelja e hapësirës ajrore turke është e papranueshme" dhe nënvizoi se Türkiye "do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme kundër kësaj".
Ai gjithashtu theksoi se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet që mund të dëmtojnë sigurinë rajonale ose të paraqesin rreziqe për civilët.
Araghchi, nga ana e tij, deklaroi se raketat e drejtuara drejt hapësirës ajrore turke "nuk e kanë origjinën nga Irani" dhe konfirmoi se do të kryhet një hetim i plotë i incidentit.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes tha të hënën se një raketë balistike që u lëshua nga Irani në hapësirën ajrore turke u neutralizua nga asetet ajrore dhe të mbrojtjes raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor.
Ajo shtoi se disa mbetje nga raketa ranë në tokë të zbrazët në provincën juglindore Gaziantep të vendit, duke shtuar se nuk pati viktima ose të lënduar.
Zhvillimi erdhi mes sulmeve të vazhdueshme ShBA-Izrael ndaj Iranit, të nisura më 28 shkurt, të cilat thuhet se kanë vrarë rreth 1.300 njerëz, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që shënjestrojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe disa vende të Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.