Ministri Hoxha në Bruksel: Zgjerimi, prioritet i BE-së; Shqipëria e përgatitur me reforma

Në kudër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, ministri Hoxha ka marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Forcimi i Bashkimit Evropian përmes Zgjerimit" në Konferencën e Ambasadorëve.

By
Ministri Hoxha në Bruksel: Zgjerimi, prioritet i BE-së; Shqipëria e përgatitur me reforma / TRT Balkan

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se zgjerimi është në qendër të agjendës evropiane dhe sipas tij, Shqipëria është përgatitur përmes reformave institucionale. 

Në kudër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, ministri Hoxha ka marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Forcimi i Bashkimit Evropian përmes Zgjerimit" në Konferencën e Ambasadorëve.

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në panel me Komisioneren për Zgjerimin të BE-së, Marta Kos dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Moldavisë, Mihai Popsoi, ministri Hoxha u ndal te procesi i zgjerimit "si një nga instrumentet më të suksesshme të BE-së për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinent".

Sipas ministrisë, Hoxha theksoi se "e mirëpresim faktin që ky proces është rikthyer sërish, në mënyrë të qartë dhe të vendosur, në qendër të agjendës evropiane".

"Ne i qëndrojmë bindjes se procesi duhet të vijojë të mbështetet fuqimisht në parimin e meritës dhe në zbatimin e reformave të thella që e afrojnë çdo ditë e më shumë vendin tonë me BE dhe BE me aspiratat dhe nevojat legjitime të qytetarëve tanë", ka theksuar kryediplomati i Shqipërisë.

Për këtë moment të zgjerimit, sipas ministrit Hoxha, Shqipëria është përgatitur përmes reformave të thella dhe transformuese institucionale, "përmes përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian si dhe përmes një shoqërie, përkushtimi i së cilës ndaj projektit evropian mbetet i palëkundur".