Kosovë, KQZ-ja pranon sqarim lidhur me gabimin në disa fletëvotime në Mitrovicën jugore dhe Gjakovë
Në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin në fletëvotime, kompania e kontraktuar ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë jugore dhe Gjakovë.
Në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin në fletëvotime, kompania e kontraktuar ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.
KQZ-ja njofton se hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.
"CETIS-i thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnëtë pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit", thuhet në sqarimin që kompania ia ka dërguar KQZ-së.
KQZ-ja sqaron se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Të hënën u ngritën shqetësime për keqpërdorim të votave në qytetin e Mitrovicës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar ndërprerjen e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në Komunën e Mitrovicës pas dyshimeve për parregullsi.
Vëzhguesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Lidhjes Demokratike (LDK) në Qendrën Komunale të Numërimit e kanë bojkotuar procesin.
Gjatë ditës së sotme, nga partia që ishte në garë gjatë balotazhit në këtë komunë, PDK-ja, kanë deklaruar se në Komunën e Mitrovicës duhet të ketë rivotim. Sipas PDK-së, procesi zgjedhor në Mitrovicëështë shoqëruar me presion të madh, me ndërhyrje në proces, me përdorim të institucioneve të shtetit dhe ndikim në votues.
Në Komunën e Mitrovicës jugore fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.