| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Peleshi vizitë në Irlandë: Anëtarësimi në BE gëzon mbështetje popullore dhe konsensus politik
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Irlandë, ndërkohë është takuar me kryetaren e Parlamentit irlandez, Verona Murphy.
Peleshi vizitë në Irlandë: Anëtarësimi në BE gëzon mbështetje popullore dhe konsensus politik
Peleshi vizitë në Irlandë: Anëtarësimi në BE gëzon mbështetje popullore dhe konsensus politik / AA

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) gëzon një mbështetje shumë të gjerë popullore dhe një konsensus politik dhe parlamentar.

Kryeparlamentari Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Irlandë, ndërkohë është takuar me kryetaren e Parlamentit irlandez, Verona Murphy.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se vizita po zhvillohet me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit Peleshi- Murphy, u vlerësuan marrëdhëniet "shumë të mira mes dy vendeve" dhe u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit parlamentar "si një instrument kyç për forcimin e dialogut politik dhe afrimin mes dy vendeve".

"Gjatë bisedës, kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe integrimit të Shqipërisë, duke nënvizuar përparimin konkret të vendit në kuadër të reformave, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Duke venë në dukje rrënjët, vizionin dhe vlerat evropiane të shqiptarëve, kryetari Peleshi nënvizoi se anëtarësimi në BE gëzon një mbështetje shumë të gjerë popullore dhe një konsensus politik dhe parlamentar", thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se gjatë takimit, u theksua rëndësia e rolit të Irlandës në kuadër të Presidencës së ardhshme të Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilën Irlanda do ta marrë në korrik 2026, "si një moment kyç për avancimin e procesit të zgjerimit dhe mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE".

Më tej thuhet se palët diskutuan gjithashtu mbi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si ekonomia, turizmi, energjia, inovacioni dhe arsimi si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve kulturore dhe shoqërore mes dy vendeve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë