Shqipëria do të nënshkruajë të hënën Marrëveshjet Artemis në selinë e NASA-s në Uashington, duke u bërë vendi i 73-të që i bashkohet kësaj nisme ndërkombëtare për eksplorimin civil të hapësirës.
Në ceremoninë e 21 shtatorit pritet të marrin pjesë zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ambasadori shqiptar në ShBA, Ervin Bushati, si dhe zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020 nga NASA, Departamenti amerikan i Shtetit dhe shtatë vende të tjera, me synimin për të vendosur parime të përbashkëta për eksplorimin dhe përdorimin civil të hapësirës.
Ato përfshijnë angazhime për përdorimin paqësor të hapësirës, transparencën, bashkëpunimin mes sistemeve hapësinore, ndihmën në raste emergjente, regjistrimin e objekteve hapësinore, publikimin e të dhënave shkencore dhe shmangien e ndërhyrjeve të dëmshme mes aktiviteteve të vendeve të ndryshme.
Marrëveshjet përfshijnë gjithashtu parime për përdorimin e burimeve të Hënës, Marsit dhe asteroidëve, ruajtjen e trashëgimisë hapësinore dhe kufizimin e mbetjeve hapësinore.
Me nënshkrimin, Shqipëria do t’i bashkohet vendeve që angazhohen të ndjekin këto parime në aktivitetet e ardhshme të eksplorimit civil të hapësirës.




















