Një doganier sirian u vra dhe dy të tjerë u plagosën sot në një pritë të armatosur në rrugën që lidh qytetet perëndimore Baniyas dhe Tartus, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Autoriteti sirian për pikat kufitare dhe doganat ia atribuoi sulmin mbetjeve të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Assadit, duke e cilësuar atë si një “pritë të pabesë të armatosur”.
Drejtori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit në këtë autoritet, Mazen Alloush tha se patrulla u sulmua ndërsa po kryente detyrat e saj.
Në disa pjesë të Sirisë janë regjistruar sulme sporadike nga persona ose grupe të armatosura të paidentifikuara, të cilat autoritetet i kanë lidhur me regjimin e mëparshëm.
Administrata siriane thotë se po punon për forcimin e sigurisë, shtrirjen e kontrollit shtetëror dhe rikthimin e stabilitetit pas viteve të konfliktit.
Assadi u rrëzua nga pushteti më 8 dhjetor 2024, kur forcat opozitare hynë në Damask, duke i dhënë fund sundimit të tij 24-vjeçar. Babai i tij, Hafez Assad drejtoi Sirinë nga viti 1971 deri në vitin 2000.






















