| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Gjykata Themelore në Prishtinë dënon me gjashtë vjet burg Jelena Gjukanoviqin për spiunazh
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim prej 25 vjetësh.
Gjykata Themelore në Prishtinë dënon me gjashtë vjet burg Jelena Gjukanoviqin për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë dënon me gjashtë vjet burg Jelena Gjukanoviqin për spiunazh / TRT Balkan

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtore, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim për veprën penale për spiunazh, Jelena Gjukanoviqin.

Vendimin e bëri të ditur gjyqtari, Rrahman Beqiri i cili tha se Gjukanoviq shpallet fajtore. 

“Sot në praninë e prokurorit special, të akuzuarës dhe avokatëve mbrojtës në seancë të hapur dhe publike në emër të popullit shpall këtë aktgjykim: Jelena Gjukanoviq shpallet fajtor për shkak veprës penale spiunazhi, andaj gjykata bazuar në dispozitat e kodit penal dhe të kodit të procedurës penale e gjykon dënim me burgim kohëzgjatje prej gjashtë vjetëve, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë të këtij aktgjykimi”, tha Beqiri.


Siç tha ai, në dënim i llogaritet edhe masa e paraburgimit nga 28 shkurti i vitit 2025, duke iu vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, mbrojtja e të akuzuarës mund të ankohet brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit. 


Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim prej 25 vjetësh (dënim maksimal).

Sipas prokurorisë, rasti lidhet me veprimtari që rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë shtetërore.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarës ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat gjatë gjithë procesit gjyqësor, duke kërkuar lirimin e saj dhe duke mos pranuar pretendimet e prokurorisë.

Në seancën fillestare në shtator të vitit 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, zyrtarja e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jelena Gjukanoviq është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për spiunazh.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Jelena Gjukanoviqit.

Aktakuza thotë se Gjukanoviq i ka përcjell tani të dënuarit për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, te përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-s në Beograd.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë