Kosova në prag të zgjedhjes së presidentit të ri ose zgjedhjeve të reja
Sot është dita e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash duhet t'i japin mbështetje një të propozuarit për president, ose në të kundërtën vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Liderët e partive politike parlamentare në Kosovë ende nuk kanë arritur konsensus politik se cili duhet të jetë kandidati për president që duhet të gëzojë mbështetjen e 2/3 të deputetëve të Kuvendit.
Megjithë përpjekjet që u bënë nga takimet e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti, duke zhvilluar pesë runde bisedimesh me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza dhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ato nuk prodhuan rezultat.
Sot është dita e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash duhet t'i japin mbështetje një të propozuarit për president, ose në të kundërtën vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, pavarësisht që zgjedhjet e fundit u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Të martën, më 3 mars, Kurti zhvilloi takimin e tretëme kreun e LDK-së, Abdixhiku duke e përshkruar takimin si konstruktiv, por, pa dhënë detaje konkrete, duke premtuar njoftime në ditët në vijim.
Pas këtij takimi, LDK-ja mblodhi grupin parlamentar dhe rikonfirmoi dy qëndrime: ose një president konsensual me mbështetje të gjerë politike, ose një marrëveshje klasike bashkëqeverisëse mes VV-sëdhe LDK-së.
Ndërkohë, kreu i PDK-së, Hamza i ka mbyllur derën takimeve të mëtejshme me Kurtin. Pas takimit të dytë mes tyre, Hamza deklaroi se oferta e fundit e PDK-së është që kjo parti ta propozojë kandidatin për president, me kusht që ai të marrë mbështetjen e shumicës parlamentare.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026 dhe sipas Kushtetutës, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin 30 ditë para mbarimit të mandatit, vendi shkon në zgjedhje të reja.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në njërin nga dy raundet e para ose 61 vota në raundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë. Për të propozuar një kandidat nevojiten të paktën 30 nënshkrime. VV-ja ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Sa i përket opsioneve për president të ri, përpos Vjosa Osmanit e cila është përfolur edhe për një mandat në krye të shtetit, kryeministri Kurti ka përmendur si figurë të përshtatshme edhe Murat Jasharin, djalin e Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, por, vet Jashari ka deklaruar se nuk ka ambicie për këtë post.
Nga ana tjetër, Osmani ka shprehur interes për një mandat të dytë, por emri i saj javët e fundit nuk është përmendur si kandidaturë nga VV-ja, ndërsa opozita e ka kritikuar Osmanin për njëanshmëri në favor të Qeverisë Kurti.
Si alternativë, Kurti ka lënë të hapur mundësinë që secila parti të propozojë kandidatin e vet dhe procesi të zhvillohet përmes një gare në Kuvend.
Nëse brenda afateve kushtetuese nuk arrihet zgjedhja e presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pse Kosova gjatë vitit 2025 mbajti dy palë zgjedhje parlamentare dhe një palë zgjedhje lokale.
Sipas burimeve të mediave në Kosovë, Kurti do të zhvillojë takime edhe gjatë ditës së sotme, kur pritet që të thirret seanca në të cilën do të bëhet përpjekje që të votohet një emër për president tëvendit.
Në rast se nuk arrihet që të zgjidhet presidenti, deputetët do të mund t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim të situatës, ndërsa postin e Vjosa Osmanit pas 4 prillit mund ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, jo më larg se gjashtë muaj.