Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u prit në Lubjanë nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.
Presidentet zhvilluan një takim kokë më kokë, pas të cilit pasoi një takim plenar i delegacioneve maqedonase dhe sllovene.
Sipas kabinetit të presidentes Siljanovska-Davkova, temë e bisedimeve ishin marrëdhëniet bilaterale, integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut, zhvillimet aktuale gjeopolitike, arkitektura e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe roli i NATO-s, në prizmin e përkushtimit të përbashkët ndaj rendit multilateral dhe projektit politik evropian.
"Siljanovska-Davkova theksoi se kredibiliteti i integrimit evropian varet nga zbatimi i qëndrueshëm i kritereve të Kopenhagës: stabiliteti i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimi i pakicave, ekonomia e tregut, aftësia për t'u përballur me detyrimet e anëtarësimit, të inkorporuara në Marrëveshjen për BE-në", thuhet në njoftim.
Në kuadër të vizitës zyrtare, është paraparë që presidentja Siljanovska-Davkova të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Sllovenisë, Zoran Stevanoviq.





















