| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ministri Hoxha: Ka ardhur koha të kalojmë nga fjalët te veprat për zgjerimin e BE-së
Hoxha ka theksuar se prej më shumë se një dekade forumi ka shërbyer si një platformë e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Hoxha: Ka ardhur koha të kalojmë nga fjalët te veprat për zgjerimin e BE-së
Ministri Hoxha: Ka ardhur koha të kalojmë nga fjalët te veprat për zgjerimin e BE-së/ AA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka deklaruar se ka ardhur koha të kalohet nga fjalët te veprat për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE).

Hoxha ka marrë pjesë në edicionin e 12-të të Forumit të Konektivitetit të Tiranës, ndërkohë në një reagim në rrjetet sociale ai ka theksuar se prej më shumë se një dekade forumi ka shërbyer si një platformë e rëndësishme për avancimin e diskutimeve mbi ndërlidhjen, bashkëpunimin rajonal dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka theksuar se mesazhi i tij sot ishte i qartë, që ka ardhur koha të kalohet nga fjalët te veprat për zgjerimin e Bashkimit Evropian, "të udhëhequr nga një udhërrëfyes i besueshëm dhe i përbashkët për anëtarësim".

"Shqipëria po bën pjesën e saj. Ne po ecim përpara kapitull pas kapitulli, kriter pas kriteri, reformë pas reforme, me objektivin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027. Sepse reformat nuk janë kushte të imponuara nga jashtë; ato janë investime për një Shqipëri më të fortë, më demokratike dhe më të begatë. Shumë përpara se të bëhen standarde të BE-së, ato janë gurë kilometrikë në rrugën tonë të zhvillimit dhe modernizimit", tha ai.

Kryediplomati shqiptar është shprehur se mbështesin fuqimisht parimin e integrimit gradual, ose siç tha ai që pëlqen ta quaj, “akses përpara anëtarësimit”.

"Përmes pjesëmarrjes së shkallëzuar në politikat e BE-së, në Tregun e Përbashkët, në programet e përbashkëta dhe projektet strategjike, mund të përshpejtojmë konvergjencën, duke e forcuar njëkohësisht besimin në procesin e zgjerimit. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por një rrugë më e besueshme, më pragmatike dhe më e qëndrueshme drejt tij, në dobi si të vendeve kandidate, ashtu edhe të vetë Bashkimit Evropian", ka shtuar Hoxha.

Ministri Hoxha është shprehur se rajoni ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm: "nga konflikti te bashkëpunimi, nga izolimi te integrimi". "Vetëm përmes një procesi të bazuar në meritë mund të fitojmë vendin që na takon në familjen evropiane dhe ta shndërrojmë perspektivën evropiane në një të ardhme evropiane", ka theksuar kryediplomati i Shqipërisë.

Forumi i Konektivitetit i Tiranës (Tirana Connectivity Forum) është një platformë dhe një ngjarje vjetore kryesore që mbledh aktorë të ndryshëm dhe politikëbërës të përfshirë në çështjet mbi zgjerimin e BE-së, bashkëpunimin Rajonal dhe Procesin e Berlinit në Ballkanin Perëndimor.