| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Flamuri i Kosovës në majën e Kilimanxharos më 17 shkurt
Misioni i tyre është që më 17 shkurt flamuri i Kosovës të valëvitet në lartësinë prej gati 6.000 metrash, në një akt që përfaqëson jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një formë të diplomacisë publike.
Flamuri i Kosovës në majën e Kilimanxharos më 17 shkurt
Flamuri i Kosovës në majën e Kilimanxharos më 17 shkurt / AA
14 Shkurt 2026

Një grup prej dhjetë alpinistësh nga klubi “Alpin Prishtina”, do të ndërmarrin një ekspeditë të veçantë për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke synuar ngjitjen e majës së Kilimanxharos, malit më të lartë në Afrikë.

Misioni i tyre është që më 17 shkurt flamuri i Kosovës të valëvitet në lartësinë prej gati 6.000 metrash, në një akt që përfaqëson jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një formë të diplomacisë publike.

Para nisjes së tyre, grupi zhvilloi një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ku u diskutua rëndësia simbolike e këtij misioni.

Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i këtij klubi, Nazmi Hasanramaj, tha se ky gjest synon të dërgojë një mesazh shpresëdhënës dhe të lërë gjurmë në një arenë ndërkombëtare, ku priten të jenë edhe shumë ekipe të tjera nga vende perëndimore.

“Ideja e grupit për ngjitjen në Kilimanxharo, përveç që ne program e kemi çdo vit me ngjitje të tilla, sivjet jemi munduar ta rregullojmë kohën që me ra më 17 shkurt në majë të Kilimanxharos...Ideja është të ngjitemi më 17 shkurt. Aty është zona kohore gati si e Kosovës, është dy-tre orë, nuk dallon më shumë. Po duam të dërgojmë një video shpresëdhënëse, po duam ta dërgojmë një video deklarative, do ta quaj kështu, ta ngremë flamurin për pavarësi, dhe ta lëmë një farë lloj gjurme”, theksoi Hasanramaj.

Hasanramaj rikujton se misioni i Klubit Alpin “Prishtina”, është promovimi i Kosovës dhe zhvillimi i alpinizmit, gjithmonë brenda standardeve të sigurisë dhe normave ndërkombëtare.

Ai bën të ditur se alpinizmi në Kosovë zhvillohet në disa zona malore, ndërsa interesimi për këtë sport është në rritje.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë