Prokuroria dhe policia gjermane kanë bërë të ditur se autoritetet e vendit kanë arrestuar një shtetas moldav, i dyshuar se fluturoi një dron mbi një kompani gjermane të prodhimit të armëve me qëllim sigurimin e informacioneve të ndjeshme mbi mbrojtjen.
Në një deklaratë të përbashkët të policisë së Mynihut dhe prokurorisë thuhet se i dyshuari 37-vjeçar u arrestua të mërkurën në mbrëmje pranë ambienteve të kompanisë në shtetin jugor të Bavarisë, pas njoftimeve të banorëve lokalë.
Autoritetet thanë se i dyshuari fluturoi dronin mbi objektin për të regjistruar fotografi ose video që mund të cenonin sigurinë kombëtare dhe interesat mbrojtëse të Gjermanisë.
Në deklaratë thuhet se hetuesit dyshojnë se ai kishte për qëllim t’ia dorëzonte materialin një shteti të huaj ose një organizate të ndaluar.
Prokuroria refuzoi ta identifikojë kompaninë ose të japë detaje të tjera, duke u thirrur në hetimin që është ende në vazhdim.






















