BE-ja heq vizat me shumë hyrje për shumicën e rusëve ndërsa blloku ashpërson sanksionet

Sipas rregullave të reja, rusëve do t’u jepen kryesisht vetëm viza me një hyrje, përveç në raste të kufizuara humanitare ose për persona me shtetësi të dyfishtë që kanë edhe shtetësinë e një vendi të BE-së.

By
BE-ja po heq vizat shumëhyrëse për shumicën e rusëve ndërsa blloku po ashpërson sanksionet. / TRT Balkan

Bashkimi Evropian po përgatitet të ashpërsojë ndjeshëm rregullat e vizave për shtetasit rusë, duke hequr dhënien e vizave Shengen me shumë hyrje në shumicën e rasteve, si pjesë e masave të reja kundër Moskës për shkak të luftës së saj në Ukrainë, raportoi të mërkurën “Politico”, duke cituar tre zyrtarë evropianë.

Sipas rregullave të reja, rusëve do t’u jepen kryesisht vetëm viza me një hyrje, përveç në raste të kufizuara humanitare ose për persona me shtetësi të dyfishtë që kanë edhe shtetësinë e një vendi të BE-së.

“Kjo është një hap tjetër në përpjekjen e BE-së për të kufizuar lëvizjen e shtetasve rusë dhe për të zvogëluar ndikimin e Moskës në Evropë,” tha një nga zyrtarët për këtë medium.

Vendimi vjen pasi blloku në vitin 2022 pezulloi marrëveshjen për lehtësimin e regjimit të vizave me Moskën, duke e bërë më të vështirë dhe më të kushtueshme për rusët marrjen e vizave për BE-në. Disa shtete anëtare, përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, kanë shkuar edhe më tej duke ndaluar pothuajse plotësisht hyrjen e vizitorëve rusë.

Dhënia e vizave mbetet kompetencë e secilit shtet anëtar, që do të thotë se Brukseli nuk mund të imponojë ndalim të plotë. Megjithatë, rregullat e reja, që pritet të miratohen këtë javë, janë pjesë e një pakete më të gjerë për të kufizuar udhëtimet nga Rusia.

Në vitin 2024, rusëve u janë dhënë mbi 500 mijë viza Shengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, një rritje krahasuar me vitin 2023, por ende shumë më pak se katër milionët e lëshuara para fillimit të luftës. Hungaria, Franca, Spanja dhe Italia mbeten ndër vendet më liberale në dhënien e vizave.

Ndërkohë, paketa e 19-të e sanksioneve të BE-së përfshin kufizime të reja për diplomatët rusë, të cilët në të ardhmen do të duhet të njoftojnë vendet anëtare para udhëtimeve brenda zonës Shengen, për të frenuar, siç thotë Brukseli, “aktivitetet gjithnjë e më armiqësore të inteligjencës”.

Komisioni pritet që muajin e ardhshëm të paraqesë një strategji të re të politikës së vizave në nivel të BE-së, me të cilën do t’u kërkojë vendeve anëtare të përdorin politikën e vizave kundër shteteve armiqësore dhe të zbatojnë kritere më të rrepta për shtetasit e Rusisë dhe të vendeve të tjera që konsiderohen rrezik për sigurinë.