Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të mërkurën një rezolutë që bën thirrje për t’i dhënë fund embargos ekonomike, tregtare dhe financiare të vendosur nga ShBA-ja kundër Kubës.
Gjithsej 130 vende, përfshirë Turqinë, votuan pro projektrezolutës që kërkon heqjen e embargos ndaj Kubës. Shtatëmbëdhjetë vende, përfshirë ShBA-në, Izraelin, Ukrainën, Argjentinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, votuan kundër, ndërsa 25 vende abstenuan.
Duke iu drejtuar Asamblesë para votimit, ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez Parrilla, tha se embargoja po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të kubanëve, veçanërisht përmes mungesës së karburanteve, ilaçeve, ushqimeve dhe mallrave të tjera thelbësore.
“Kuba nuk është kërcënim. Bllokada është kërcënim”, tha Rodriguez, duke theksuar se këto masa po përdoren si formë presioni ekonomik ndaj popullsisë kubane.
“Ne nuk po flasim për shifra. Po flasim për jetë njerëzish”, tha Rodriguez, duke shtuar se pasojat e embargos ndihen “në tryezat e ngrënies së familjeve kubane” dhe nga pacientët në spitale.
Përfaqësuesi i ShBA-së, Mike Waltz, hodhi poshtë përshkrimin e sanksioneve nga ana e Havanës, duke theksuar se vështirësitë ekonomike të Kubës vijnë kryesisht si pasojë e politikave të vetë qeverisë së saj.
Projektrezolutat e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që nga viti 2012 i kanë bërë thirrje SHBA-së t’i japë fund embargos.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk është ligjërisht detyruese dhe shërben si rekomandim, duke e pasqyruar qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare. Embargoja amerikane kundër Kubës u vendos për herë të parë në vitin 1960, ndërsa fushëveprimi i saj u zgjerua më tej në vitet pasuese.






















