Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas shprehu shqetësim lidhur me vendimin e Izraelit për të ndaluar patriarkun latin të Kudsit të shënonte të Dielën e Palmave në Kishën e Varrit të Shenjtë, duke e quajtur këtë veprim "shkelje të lirisë fetare".
"Vendimi i policisë izraelite për të ndaluar patriarkun latin të Kudsit të hyjë në Kishën e Varrit të Shenjtë të Dielën e Palmave përbën shkelje të lirisë fetare dhe mbrojtjeve të gjata që rregullojnë vendet e shenjta", shkroi Kallas në rrjetin social X.
Ajo bëri thirrje për garantimin e plotë të lirisë së adhurimit në Kuds "pa përjashtim, për të gjitha besimet", duke shtuar se "karakteri shumëfetar i Kudsit duhet të mbrohet".
Policia izaelite ndaloi kardinalin Pierbattista Pizzaballa të hynte në Kishën e Varrit të Shenjtë për të festuar Meshën e së Dielës së Palmave. Në një deklaratë, Patriarkana Latine e Kudsit tha se Pizzaballa, së bashku me rojen e Tokës së Shenjtë, Atin Francesco Ielpo, u ndaluan ndërsa po shkonin privatisht në kishë dhe "u detyruan të ktheheshin".
Patriarkana tha se incidenti shënoi herën e parë në shekuj që udhëheqësit e kishës u penguan të festonin të Dielën e Palmave në Varrin e Shenjtë, një nga vendet më të shenjta të krishtera.
Që nga e premtja e kaluar, autoritetet izraelite vazhdojnë t'u ndalojnë muslimanëve namazin e xhumasë në xhaminë Al-Aksa të Kudsit, vendi i tretë më i shenjtë në Islam, për të katërtën javë radhazi, duke e mbajtur atë të mbyllur që nga fundi i shkurtit në kuadër të masave emergjente të lidhura me luftën me Iranin.



















